Reshitaj mori pjesë në lansimin e projektit

Reshitaj mori pjesë në lansimin e projektit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, mori pjesë në lansimin e projektit të përkrahjes për menaxhimin e Lumit Sitnica që zbatohet nga SICALA Haute-Loire, një autoritet ndër-komunal francez i komunave përgjatë lumit Loire.

Reshitaj tha se se MMPH-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të saj. Në këtë aspekt, Ministria ka proceduar për aprovim e Strategjisë Shtetërore të Ujerave të  Kosovës e cila parasheh orientimet programore dhe strategjike për 20 vitet e ardhshme në sektorin e ujërave.

“Ne do jemi në mbështetje të plotë të projektit dhe shpresojmë që ky të jetë vetëm një projekt në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer mes Republikës së Kosovës dhe Francës”, tha ajo.

Nga ana e tij, ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, u zotua që do të angazhohet në intensifikimin e marrëdhënieve mes Francës dhe Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes SICAL dhe komunës së Lipjanit, kurse me certifikimin e rezultateve pritet të nënshkruhen marrëveshjet edhe me kryetarët e Ferizaj, Fushë Kosovës, Obiliqit, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

Projekti bazohet në shkëmbimin e ekspertizës dhe kompetencave ndërmjet autoriteteve lokale dhe synon zhvillimin e një menaxhimi koherent dhe të bashkërenduar të pellgut të lumit Sitnica, në mes të komunave në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme të lumit Sitnica, bazuar në përvojën e menaxhimit të basenit lumor në Francë në përputhje me legjislacionin e BE-së.