Latifi: Kemi vizion të qartë për sistemin shëndetësor pas 5-10 vjetëve

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se nevojiten vite në mënyrë që mjekësia e Kosovës të jetë në nivelin e duhur dhe që të arrijë standardet e Evropës. Pas takimit me eurodeputetin nga Austria Lukas Mandl, ministri Latifi tha se tashmë kanë vizion të qartë sesi do të duket sistemi shëndetësor pas 5 dhe 10 vjetësh të ardhshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është ofruesi kryesor i shërbimeve shëndetësore në vend… Përderisa ka pasur njëfarë progresi për 23 vjet, që nga përfundimi i luftës ende ka nevoja të mëdha të kujdesit shëndetësor të paplotësuar. Pabarazia në shëndetësi, infrastruktura spitalore, mungesa e avancimit teknik, ekspertizës klinike dhe disa çështje legjislative janë disa prej nevojave. Si pasojë e këtyre faktorëve, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë po kërkojnë kujdes shëndetësor jashtë vendit… Ne kemi bërë analizë, kemi krijuar strategji afatmesme dhe afatgjatë të bazuara në dëshmi dhe nevojat klinike të Republikës së Kosovës që adreson të gjitha këto çështje. Ne kemi vizion të qartë se si do të duket sistemi shëndetësor pas 5-10 vjetët të ardhshme”, ka thënë Latifi.
Nga ana tjetër, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu në emisionin Bonbon të RTV 21 komentoi deklaratën e ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi se ka vizion të qartë për sistemi shëndetësor pas 5 a 10 vjetësh të ardhshme.
Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi kohët e fundit shpesh ishte në qendër të kritikave jo vetëm të opozitës, por edhe të njohësve të shëndetësisë, për punë të zbehtë në këtë fushë./21Media

Back to top button