Latifi: Për kryeqytetin e bujqësisë nuk duhet të ketë tkurrje të buxhetit

Kërkon nga opozita ta voton buxhetin

Për gjatë dy vjetëve të qeverisjes në komunën e Rahovecit, kryetari Smajl Latifi thotë se janë bërë mjaft investime kapitale në infrastrukturë publike, arsim, shëndetësi, për ujë të pijshëm, për ujëra të zeza, mjedis dhe për bujqësi. Po ashtu, janë në proces dhe planifikim për realizim të shpejt edhe projekte të tjera me mbështetje të Qeverisë Haradinaj.

Por këtë vit kryetari Latifi është duke u sfiduar nga partitë opozitare në këtë komunë, nga PDK dhe LDK të cilat kishin kundërshtuar miratimin e buxhetit për vitin 2020.

Kryetari Latifi thotë në një intervistë, se opozita ka pasur kërkesë që të hiqen 460 mijë euro nga tri kode buxhetore dhe të mos ketë përkrahje direkte për fermerë në serra, stalla, ferma dhe mekanizma bujqësor.

Latifi thotë se ditë më parë për shkak edhe të para fushatës zgjedhore nga opozita, ishte detyruar ta heq nga rendi i ditës miratimin e buxhetit, që sipas tij, i jep krah dhe fuqi bujqësisë në këtë komunë.

Ai deklaron se në një moment të përshtatshëm do ta qes për miratim buxhetin me 1 milion e 16 mijë euro, vetëm për bujqësi dhe ka kërkuar aprovimin e tij që i dedikohet bujqve të Rahovecit.

Latifi mendon se opozita shumë shpejt do të jenë të gatshëm ta votojë buxhetin për shkak se është edhe obligim ligjor.

“Natyrisht që kryetari i komunës për hirë të kërkesave të shumta, nevojave, interesave dhe halleve të shumta që kanë bujqit e Rahovecit, nuk ka lejuar që të ndodhë një veprim i tillë. Bujku që jeton me djersën e ballit dhe mban familjen e vet dhe po i jep identitet kësaj komune. Pra, bujkut që punon në kryeqytetin e bujqësisë në Rahovec, nuk mund t’ia heqësh nga dora si mundësi për t’i ndihmuar me 460 mijë euro. Pra, në qoftë se do të hiqeshin 460 mijë euro, nuk ka mundësi që bujkut të Rahovecit t’i jepet mekanizëm bujqësor, për dhënie të serave për tre ari, shtatë ari, dhjetë ari”, deklaron Latifi.

Investimet në Bujqësi, sipas kryetarit Latifi janë të shumta dhe me shifra rekorde për bujqësi, për bizneset e vogla, sport dhe kulturë.

“Kemi investuar edhe në bujqësi shumë. Premtimin e bujshëm që ne e kemi dhënë, pak kush ka besuar që ne ta bëjmë buxhetin për bujqësi 1 milion euro, ne e kemi bërë qysh në vitin e parë të qeverisjes. Kemi shpërndarë 117 sera, ndërkohë kemi investuar në stalla dhe ferma të vogla. Kemi investuar në kanale të kullimit të tokave bujqësore. Po vazhdon aktivitet i trajtimit të rrugëve fushore, janë tri kompani që punojnë intensivisht për trajtimin e rrugëve fushore që siguron qasje shumë të lehtë të fermerëve në arat e punës. Kemi filluar me shpërndarjen e mekanizmit bujqësor për herë të parë në Rahovec, për multi-kultivator, kultivator, freza, spërkatëse të perimeve, spërkatëse për vreshta, gërshërë të vreshtave, koshere bletësh. Kemi ndihmuar edhe bizneset e vogla. Po ashtu kemi ndihmuar sportin, rininë, kulturën”, thotë ai.

I pari i Rahovecit pohon se për herë të parë nga qeveria Haradinaj është bërë dëmshpërblimi rreth 17 përqind e dëmit të përgjithshëm për të gjithë fermerët pa dallim, të cilët janë dëmtuar në vitin 2018.

“Nga qeveria Haradinaj, që e falënderoj publikisht, ne kemi marr një pjesë të mjeteve që kanë të bëjnë me dëmshpërblimin e fermerëve. Ata që u dëmtuan në vitin 2018, fermerët ose bujqit , kemi marrë 1 milionë euro, vlera e dëmit të shkaktuar nga breshëri ose përmbytjet e vitit të kaluar është 5 milionë e 750 mijë euro. Ato një milionë euro kanë qenë një përpjekje direkte për të gjithë ata që janë dëmtuar. Kompensimi është bërë pa dallim dhe janë trajtuar me kujdes”, thotë Latifaj.

Latifi ka shtuar se janë disa projekte të mëdha dhe të rëndësishme për Rahovecin që ka marrë përkrahje direkte nga qeveria Haradinaj.

Ai ka veçuar në këtë rast projektin që në këto ditë pritet të nënshkruhet një kontratë për zgjerimin e rrugës prej transitit në qytet deri në Xërxë aty ku parashihet edhe nënkalimi, që ka një kosto shtatë milionë euro, dhe për dy projekte të tjera në dy fshatra nga 1 milion euro.

Latifi ka treguar se kur do të shpërndahen mekanizmat bujqësor për bujqit e Rahovecit.

“Shpresojmë që diku në këtë vit, ndoshta diku mbi 70 përqind të mekanizimit bujqësor do të kemi mundësi që ta shpërndajmë, pra, tashmë nuk po varet nga komuna, për shkak se furnizimet e operatorëve që kanë lidhur kontratë me ne, ndonjëherë po kanë vonesa. Por, në bazë të informatave e kemi një situatë të favorshme që Brenda muajit nëntor t’i shpërndajmë edhe një sasi të madhe të mekanizmit bujqësor”, thotë ai.

AAK ka dal parti e parë në Rahovec në zgjedhjet e 6 tetorit, por që nuk ka marrë shumë vota, mirëpo Latifi ka thënë se kanë arrit me rritë dhe me ruajt votën, si dhe nuk kanë qenë të dëmtuar nga koalicioni me PSD-në.

“Kemi dalë parti e parë për herë parë në zgjedhje parlamentare në historinë e aktivitetit të Aleancës që nga viti 2000. Janë katër parti në garë, LDK-ja që nuk ka rritje të votave, mund të ketë rënie. Ëshët PDK-ja që vazhdimisht e kemi pasur konkurrent kryesor. Ka rritje VV-ja, jo për shumë vota. Unë mendoj që ne kemi mbërri jo vetëm me ruajt votën, por edhe me rritë votën dhe me dalë partia e parë. Pritjet tona kanë qenë shumë më të mëdha. Unë kam besuar që AAK në Rahovec jo vetëm që do të jetë e para, por me një diferencë shumë të madhe të votave nga partia e dytë. Partia e dytë është LDK, e treta është VV dhe partia e katërt është PDK-ja dhe e pesta është Nisma”, theksoi ai.

Kryetari i Rahovecit ka numëruar disa prej projekteve të realizuar për gjatë dy vjetëve si kryetar. Sipas tij, ka pasur investime në shumë aspekte që të rritet cilësia e jetës së qytetarëve të Rahovecit.

Latifi shton se fokusi i tij si kryetar ka qenë për ngritjen e cilësisë edhe në mësimdhënie dhe mësim nxënie në arsim dhe për siguri më të lartë.

Pohon se ka pasur investime edhe për trajtimin e shtretërve të lumenjve në këtë komunë, një prej tyre është projekti madhor për trajtimin e shtratit të lumit që ndan Krushën me Celinën.

Po ashtu kanë nisë ndërtimi i objekteve shkollore, si në Reti, Hoqë të vogël, në Fortesë, si dhe pritet të fillojë ndërtimi i objektit të ri të shkollës në Kaznik.

Latifi ka përmendur edhe investimet në shëndetësi që ka filluar ndërtimi i një objekti të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Çifllak, si dhe është siguruar ndërrimi i dytë në dy qendrat familjare si në Krushë të madhe dhe në Ratkoc, ndërsa deri në vitin 2020 pritet që këto dy qendra të nis edhe ndërrimi i tretë, kurse me ndërrime të dyta edhe në katër qendra të tjera.

Ai tha se është duke u ndërtuar objekti i Emergjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe ka një përparim të dukshëm të shërbimeve primare mjekësore në komunën e Rahovecit.

Latifi premtoi se së shpejti të nisë ndërtimi i dy çerdheve të reja në Krushë të madhe dhe në Xërxë, ndërsa në Ratkoc veç ka filluar ndërtimi i çerdhes.

Po ashtu, ai tha se në qeverisjen e tij ka pasur mirëmbajtje të varrezave të dëshmorëve, martirëve dhe civile, si dhe në mirëmbajtjen e hapësirave publike

Back to top button