LDK do ta votojë Projektligjin për ushtrinë

Sipas Hotit, të gjitha komunitetet duhet të ndjehet të sigurta sepse FSK është siguri për të gjithë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti bëri të ditur se do të votojnë projektligjin për transformimin e FSK-s në ushtri.

“Në përputhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së do të mbështesim projektligjin për transformimin e FSK. Falënderojmë SHBA dhe partnerët tjerë ndërkombëtar për mbështetjen që kanë dhënë. Të gjitha komunitetet duhet të ndjehet të sigurta sepse FSK është siguri për të gjithë”, tha ai.

Ai përsëriti se nuk e përkrahin rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë. “Platformë për dialogun është Kushtetuta e vendit. Nuk mund të ketë platformë tjetër. Duhet legjitimitet qytetarë nga institucionet që kanë shumicën”, tha ai.

Njëherësh, Hoti foli edhe lidhur me vonesën e presidentit Hashim Thaçi për vonesën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.

“Është e pataloreueshme që Presidenti nuk i ka kryer detyrat e veta që ta bëjë KQZ-në funksionale. Sepse vendi mund të shkojë shumë shpejt në zgjedhje”, tha ai.

Më 14 dhjetor do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para pak ditësh ka thënë se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës është në kohë të gabuar dhe do të ketë pasoja serioze. Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Stoltenberg-un, të cilit i ka konfirmuar se ushtria e Kosovës do të votohet më 14 dhjetor.

Back to top button