LDK-ja dhe VV-ja e bojkotojnë takimin me Veselin

Takim për t’u koordinuar për procesin e dialogut me Serbinë

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka ftuar për sot në një takim të përbashkët nga ora 11:00, presidentin, kryeministrin, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në ekipin negociator, LDK dhe VV, për t’u koordinuar për procesin e dialogut me Serbinë.

Megjithatë, partia opozitare Vetëvendosje(VV), nuk do të merr pjesë në këtë takim. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv deputetja e VV-së Albulena Haxhiu.

Gjithashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk e ka në plan të marrë pjesë në këtë takim.

“LDK nuk do merr pjesë në ftesat e partnereve të koalicionit. Duhet legjitimitet elektoral dhe qeveria e re legjitime të udheheqë me dialogun”, ka thënë deputeti i LDK-së, Naser Rugova në një prononcim për portalin rtv21.tv.

Veseli ka thënë se para dhe pas çdo takimi të palës kosovare në Bruksel, do t’i ftojë të gjithë akterët politikë nga pozita dhe opozita për t’u koordinuar për fazën finale të dialogut.

Takimi i parë koordinues mes kryeparlamentarit Veseli, presidentit, kryeministrit dhe ekipit negociator për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, u mbajt më 26 dhjetor. Në këtë takim edhe atëherë kanë munguar LDK-ja dhe VV-ja./21Media

Back to top button