LDK-ja kërkon shpërbërjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve

Hoti ka kërkuar nga deputetët që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, e cila përmban tri pika

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë, ku kërkohet shpërbërja e Kuvendit, dorëheqja e Qeverisë, po që paraprakisht të miratohet pakoja ligjore për formimin e ushtrisë.

Hoti këtë kërkesë e ka bërë sonte gjatë mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur me kërkesë të opozitës.

Hoti ka thënë se fajin për mos liberalizimin e vizave, e ka pikërisht kjo qeverisje njëvjeçare, pasi kjo qeverisje është një manual se si të zhbëhet shteti brenda një viti.

“Këta persona dështimin e liberalizimit të vizave  dhe anëtarësimin në Interpol, po e plasojnë para qytetarëve si dështim të Evropës  me rastin e liberalizimit të vizave  dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpol-it. Ndërkaq vet kanë dështuar totalisht të përmbushin agjendën e reformave evropiane dhe zbatimit të MSA-së, pavarësisht se opozita jo që ka hedhur gaz e ka përdorur dhunë, por i ka mbështetur të gjitha ligjet dhe reformat  për integrim evropian pa  asnjë kusht dhe pengesë. Këta zhgënjyen Brukselin dhe qytetarët tanë”, ka shtuar deputeti Hoti.

Tutje, ai ka thënë se demokracia shkelet nëse komunat e qeverisura nga AAK, përfitojnë tri herë më shumë se komunat tjera. Sipas tij, kulmi i dështimeve, është mos anëtarësimi në Interpol dhe mos liberalizimi i vizave.

“Nga një analizë e thjeshtë e qeverisjes njëvjeçare të koalicionit PAN, mund të nxirret një manual se si të zhbëhet shteti brenda një viti. Shteti, rendi kushtetues, dhe ligji cenohen nëse kryeministri urdhëron ministrat të marrin vendime jo ligjore, siç është rasti me shkarkimin e bordit të Agjencisë së Akreditimit. Ose nëse qeveria merr vendime jo kushtetuese, siç është rasti me pronat e AKP-së në komunat serbe, ose me rritjen e pagës së vet. Paraja publike keqpërdoret nëse emërohen 80 zëvendës ministra e plotë koordinat nacional  për të njëjtat detyra”, ka thënë Hoti.

Ai ka kërkuar nga deputetët që në fund të debatit të miratohet një rezolutë, e cila përmban tre pika.

“Prandaj në fund të këtij debate, ne ftojmë deputetët që të miratojmë së bashku një rezolutë që ka tre pika: Që forcat politike parlamentare të ulën në tryezën e bisedimeve për t’u dakorduar për agjendën për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të reja dhe demokratike. E dyta, pas këtij dakordimi, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet dhe Kuvendi të shpërbehet, për t’i hap rrugë formimit të institucioneve të reja. Dhe e tretë, që forcat politike të dakordohen që gjatë kësaj periudhe, të mos dëmtohen proceset e rëndësisë nacionale,  duke u siguruar që të adresohen çështjet më urgjente para se të shpërbëhet Kuvendi, para se gjithash, votimi i pakos së ligjeve për ushtrinë”, ka shtuar Hoti.

Back to top button