LDK kërkon zotimin për përkrahje të presidentit nga VV

Nuk dihet ende kur do të takohen Mustafa dhe Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon të insistojë që posti i presidentit t’i takojë me çdo kusht këtij subjekti e jo Lëvizjes Vetëvendosje.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu tha se ende nuk e kanë emrin e kandidat për president dhe se në momentin që e kanë do e bëjnë publik.

Jo që nuk është koha, por po iu them sinqerisht Lidhja Demokratike nuk ka emër për kandidat sot, nuk ka,  kur të vije koha ne do ta bëjmë publik edhe emrin”, u shpreh Veliu.

Sipas tij, LDK po kërkon një zotim nga Lëvizja Vetëvendosje rreth postit të presidentit.

Ndonëse kanë mbetur edhe tri ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në mes LVV dhe LDK-së. Për këtë, Veliu tha se nuk e di se a do zhvillohet ndonjë takim në mes Mustafës dhe Kurtit rreth arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nuk e di a do të ketë sot sepse sot jemi të angazhuar me aktivitete rreth shënimit të 30 vjetorit, por kurdo që Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ka hapësirë ende për t’u takuar ne jemi të gatshëm që të takohemi dhe të bisedojmë”, tha Veliu.

Këto komente nënkryetari i LDK-së i bëri me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku anëtarë të Kryesisë dhe struktura të kësaj partie kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Në 30-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kjo parti nga anëtarët e saj po konsiderohet si parti e cila po punon në shtet ndërtimin dhe integrimin e  Kosovës./21Media

Back to top button