105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private

105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të MKRS-së dhe MBPZHR-së nga objekti i tyre pa u siguruar fillimisht një objekt tjetër në pronësi të Qeverisë, apo ndërtimin e një objekti të ri.

Sipas LDK-së ky vendim është edhe më i paarsyeshëm që po ndërmerret në kohën e tranzicionit nga një qeveri në tjetrën, pa planifikim të mirëfilltë paraprak operativ e financiar që sipas tyre po rezulton në një kosto enorme për qytetarët e Kosovës prej 105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private.

“Njëkohësisht, është e papranueshme që e tërë kjo katrahurë është zhvilluar me procedura tërësisht jotransparente që duhen ndërprerë urgjentisht deri në zhvillimin e procedurave të rregullta nga qeveria e ardhshme. Ne jemi të pajtimit që Presidenca duhet vendosur në një objekt përfaqësues dhe të përshtatshëm, por assesi duke shkaktuar rrëmujë e shkëputje në punën e MKRS-së dhe MBPZHR-së dhe duke dëmtuar financat e qytetarëve të Kosovës përmes kostos marramendëse të qirasë në favor të dy pronarëve të objekteve private dhe investimeve luksoze shumëmilionëshe në objekt nga Presidenca”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK ka kërkuar nga përgjegjësit e MKRS-së dhe MBPZHR-së të mos ndërmarrin vendime që dëmtojnë buxhetin e këtyre dy ministrive të destinuar në shërbim të politikave sektoriale duke i ridestinuar për qira mujore prej 105 mijë euro.

“LDK-ja mirëpret reagimin e dinjitetshëm të zyrtarëve të MKRS-së që kanë dalë në mbrojtje të buxhetit të shtetit dhe mbarëvajtjes së punës së tyre. Këta zyrtarë dëshmojnë se janë zëri i arsyeshëm kundër së keqes në këtë rast”, thuhet tutje në reagim.

Stafi civil i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe ata të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dje kanë protestuar kundër vendimit për zhvendosjen e Presidencës në ndërtesën ku janë të vendosur këto dy ministri. Ata nënshkruan edhe peticion kundër këtij vendim./21Media