LDK: Ne dhe Kosova kemi përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike

LDK-ja ka reaguar pas deklaratës së Bekë Berishës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave që i ka bërë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha për kreun e LDK-së, Isa Mustafën.

Berisha në një emision televiziv ka thënë se “Isa Mustafa është një xhenaze vertikale politike”, kurse sipas LDK-së, kjo do të thotë se Berisha e ka shpallur Mustafën të vdekur.

“Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë. Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës. LDK konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënoj kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik”, bëhet e ditur në kumtesën e LDK-së.

LDK shprehet se kjo parti dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale.

“Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e LDK-së.

Back to top button