LDK në Prishtinë kritikon Shpend Ahmetin

“Shpend Ahmeti nuk dëgjon më për komunën”

Grupi i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë, në një konferencë për media, ka kritikuar qeverisjen komunale, duke thënë se kryetari Shpend Ahmeti nuk është i fokusuar aspak në menaxhimin e komunës.

Duke diskutuar në lidhje me raportin financiar të Komunës së Prishtinës për periudhën janar-dhjetor 2018, asamblisti Shefqet Osmani ka thënë se qytetarëve të Prishtinës po u mungon qeverisje e mirëfilltë.

“Bazuar në raportin financiar, çështja  më skandaloze është bartja e mjeteve nga vitit 2018. Këtë fakt e mbështesim në buxhetin e vitit 86 milionë euro. Në periudhën raportuese komuna e Prishtinës ka shpenzuar rreth 61 milionë euro. Mbetja e buxhetit për bartje për vitin 2019 është mbi 25 milionë euro. Këto bazohen në raportin. Reagimi ynë është se qytetarëve të Prishtinës po u mungon një qeverisje të mirëfilltë. Prishtinës i mungojnë 7 institucione shkollore, nuk janë investuar mjete në rrjetet e kanalizimeve, nuk janë investuar mjete për furnizim me ujë të pijshëm. Nuk janë shfrytëzuar mjetet e subvencioneve. Pra, rreth 530 mijë euro të kodit të subvencioneve, kjo nuk do koment”, ka thënë ai.

Komuna është dëmtuar sipas tij  5% nga mjetet e inkasuar. Rreziku më i madh është nga proceset gjyqësore të iniciuara nga qytetarët e Prishtinës.

“738 lëndë janë vetëm në vitin 2018, dukuri shqetësuese është numri i të punësuarve, mbi 100 persona në kontratë mbi vepër”, ka thënë Osmani.

Mes tjerash, ai ka shtuar se kryetari nuk është i fokusuar aspak në menaxhimin e komunës.

“Shpend Ahmeti ka kaluar në nivel shumë më të lartë, nuk dëgjon më për komunën”, ka thënë Osmani.

Kujtojmë se dje Shpend Ahmeti ka ngritur padi për ish-partinë e tij Lëvizjen Vetëvenodsje për shpifjet që janë bërë në drejtim të tij. Me këtë rast kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar duke thënë se Shpendi para se ta padisë dikë duhet ta padisë edhe veten për të gjitha manipulimet që i ka bërë, përmes të cilave ka ardhur  në krye të Prishtinës dhe për shkeljet që i ka bërë si Kryetar i Prishtinës. 

Back to top button