Sonte në emisionin "Debat Përnime" po diskutohet për sundimin e ligjit

Sonte në emisionin “Debat Përnime” po diskutohet për sundimin e ligjit

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka shpalosur programin për drejtësinë.

Gashi ka thënë se në programin e LDK-së kanë dy shtylla kryesore sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Pjesa e parë ka të bëjë me vlerësimin e sistemit dhe me rishikimin e tij, në këtë pjesë parashikojmë dy pjesë kryesore. Pjesa e parë e nënpjesës së shtyllës së parë ka të bëjë me vetingun në Polici, në Prokurori dhe në Gjykatë dhe pjesa e dytë ka të bëjë me dekriminalizimin, pra lidhjet e krimit ekonomik, financiar apo grupeve tjera të krimit me institucionet publike”,  ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se shtylla e dytë e programit ka të bëjë me zyrën shtetërore të hetimit.

“Pjesa e dytë e programit ka të bëje me zyrën shtetërore të hetimit. Në kuadër të zyrës shtetërore të hetimit, do të jenë 4 shtylla, e para do të jetë Agjencia Anti-Korrupsioni, shtylla e dytë ka të bëjë me Anti-Krimin e organizuar, shtylla e tretë ka të bëjë me pasurinë e pashpjegueshme dhe shtylla e katërt ka të bëjë me vrasjet politike apo vrasjet e pazbuluara që kanë ndodhur”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se me sistemin e zyrës shtetërore të hetimit, parashohin që të ndërtojnë një sistem i cili është funksional i cili siç tha ai do të drejtohet nga prokurorë kompetent dhe do të ketë kompetenca në bazë të sistemi kushtetues dhe juridik të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen të dielën më 6 Tetor./21Media