"LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye"

“LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa iu ka përgjigjur ofertës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, duke thënë se LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet nën drejtimin Vjosa Osmanit si kandidite për kryeministre.

Mustafa në një letër publike i ka thënë Kurtit se propozimi i tij shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet LDK-së e VV-së, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë. LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi”, ka shkruar ai.

“Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.“, përfundon Mustafa shkrimin e tij.

Sot gjatë  ditës lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti  publikoi letrën e tij dërguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, ku i kërkoi që të garojnë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, shkruan rtv21.tv. Kurti shprehu gatishmërinë që si bartëse të listës ta lërë Vjosa Osmanin, kurse në numrin 2 të vendoset kandidati i LVV.

Ndryshe, sot është dita e fundit kur mund të vendoset për ndonjë koalicion parazgjedhor./21Media