Lebet:  Zvicra e gatshme ta mbështesë Kosovën por përmbushni obligimet e juaja

Lebet:  Zvicra e gatshme ta mbështesë Kosovën por përmbushni obligimet e juaja

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean Hubert Lebet, deklaroi sot se Zvicra do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në sfidat e saj në të ardhmen, ndërsa kërkoi që vendi ynë të bëjë më shumë për të përmbushur obligimet e veta.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, me të cilin biseduan për avancimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve.

Sipas tij, Kosova mund ta ndihmojë vetën në sundimin e rendit dhe ligjit, ekonomi, stabilitet social, reformat në sistemin e arsimit e në veçanti në përmirësimin e imazhit të saj.

Ai foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetaret e Kosovës dhe deklaroi se do të angazhohet edhe më shumë në lehtësimin e procedurave, sidomos për të moshuarit dhe për komunitetin e biznesit.

Sipas tij,  lëvizja e lirë mund të jetë garanci e avancimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe vendeve të BE-së.

“Është koha kur Kosova duhet t’i kryej obligimet e saj sa i përket sundimit të rëndit dhe të ligjit, në veçanti të përmbushë obligimet e dala nga Komisioni Evropian me qëllim të përfundimit të izolimit të vendit si pasojë e mos liberalizimit të vizave”, deklaroi Lebet.

Gërxhaliu shprehu falënderim tek ambasadori Lebet, për mbështetjen që i shteti zviceran i jep Kosovës në forma të ndryshme, por me theks të veçantë për trajtimin e mirë të diasporës shqiptare në Zvicër.

“Vlerësoj lart ambasadorin Lebet për angazhimin e tij për eliminimin e barrierave sa i përket procedurave të vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Gërxhaliu.