Vërshojnë urimet për këngëtarin e mirënjohur

Vërshojnë urimet për këngëtarin e mirënjohur

Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Sabri Fejzullahu, me plotë të drejtë mund të konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj që njeh historia e këngës shqipe. Ai ishte i pari që e solli frymën e muzikës moderne në Kosovë.

Ai ka filluar që të këndojë që në klasën e parë fillore. Ndërsa, “Tash jo” është kënga e parë që e ka kënduar për Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1967, profesionalisht me orkestrën e madhe simfonike. Kjo është kënga e parë profesionalisht e tij.

Me kalimin e viteve, ai u bë një nga emrat më të njohur të skenës muzikore dhe ka një bagazh të gjerë artistik. Disa nga këngët e tij më të njohura janë “Të fala nga Prishtina”, “Pse s’thashë të dua”, “Fshatarja ime”, “Merrma shiun e Prishtinës”, “Moj e mira e diasporës”, “Nostalgjia”, “Jam shumë keq”, “Albanese”, “Shqipe”, e të tjera, transmeton rtv21.tv

Legjenda e muzikës shqipe sot feston ditëlindjen e 72-të. Nuk munguan urime të shumta nga familjarët, kolegët e miqtë e artistit të madh të skenës.

Djali i tij, Ermali, i dedikoi një urim të veçantë të atit.

“Urime ditëlindjen mbret”, shkroi ai krahas fotografisë.

Edhe gruaja e Ermalit, Ariana ia uroi ditëlindjen me këtë fotografi të bukur.

Ndërsa, ende nuk ka pranuar publikisht ndonjë urim nga bashkëshortja e tij, Nera.

Përveç paraqitjeve të suksesshme në festival ai njihet edhe si njëri prej këngëtarëve që ka sjellë më së shumti albume gjatë karrierës së tij, pothuajse çdo vit kishte një album të ri. I fundit që shënon një etapë shumë të rëndësishme të karrierës se tij është albumi me emrin “50 Vjet Të Arta” të cilin e publikoi në vitin 2018 në jubileun e karrierës së tij 50 vjeçare.

Perveç si këngëtar Sabri Fejzullahu njihet edhe si aktor, në fakt ai ka mbaruar studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik, si dhe aktrimin në Fakultetin e Arteve të Bukura.

Sabriu ka luajtur në disa projekte televizive dhe filma të ndryshme. Si aktor më së miri mbahet mend për projektet e përbashkëta me Ibrahim Krajkovën “Lecin” dhe Rasim Thaqin “Cimën”. Ai luajti edhe në serialet “Kur pranvera vonohet” dhe “Autobusi”. Po ashtu edhe në TV-komedinë “Qesh e ngjesh” me Xhevat Qenën, Leze Qenën, Ali Ahmetin dhe Adem Mikullovcin. Në filmografinë e tij gjenden mbi 20 filma, shumica të zhanrit komedi.

Sabriu njihet për paraqitjen e  tij në projektin televiziv “Kabare variete Prishtina”, muzikël ky që ishte i vetmi i këtij formati në televizionet e Kosovës./21Media