Leicester 4, Aston Villa 1

Leicester 4, Aston Villa 1

Futbollistët e Leicesterit shënuan sot fitore bindëse si mysafirë kundër Aston Villës me rezultat 4:1, në kuadër të javës 16 të Premierë Ligës angleze.

Jamie Vardy ishte më meritori për fitoren e 12-të në këtë edicion të Leicester City, i cili vazhdon të ndjekë në hap liderin Liverpool, i cili nuk di për humbje.

Serinë e golave për Leicesterin e nisi pikërisht Vardy në minutën 20′, për të dyfishuar shifrat Iheanacho katër minuta para përfundimit të pjesës së parë.

Kur pritej që 45 minutat e parë të përfundonin me rezultat 2:0 për mysafirët, ishte Jack Grealish, i cili zvogëloi epërsinë në 2:1, me golin e shënuar në minutën e dytë të kohës shtesë.

Por, kjo ishte e tëra që arritën të bëjnë futbollistët vendas, pasi në pjesën e dytë Leicester arriti të shënojë edhe dy herë dhe atë përmes Evans në minutën 49′ dhe Vardy në minutën 75′.

Pas kësaj fitoreje, Leicester mbetet në vendin e dytë në tabelë me 38 pikë, tetë më pak se Liverpool, derisa Aston Villa mbetet e 17-ta me 15 pikë.

Në ndeshjet tjera të zhvilluara sot, Newcastle shënoi fitore si vendas kundër Southampton me rezultat 2:1, Sheffield United arkëtoi tri pikë të reja në udhëtim kundër Norwich City me rezultat 2:1. Sonte luajnë edhe Brighton-Wolwes, ndërsa nesër takohen West Ham-Arsenal.