Lekaj-Hahn-it: Kosovën e mbytët me hipokrizi

“Taksa 100% të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja”

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj lidhur me vizitën e Komisionerit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn ka shkruar se taksa 100 përqind do të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja. Ndër tjerash, Lekaj iu ka drejtuar Hahn se do të ishte më mirë të vinte në Kosovën e pavarur, e jo për të bërë trysni.

“Kosovën e mbytët me hipokrizi! Është e vërtetë që jemi vendi më properëndimor në Evropë, e ndoshta në botë, por e vërteta tjetër e dhimbshme është se jemi më të margjinalizuarit në këtë pjesë të botës. Deri kur kështu, që disa zyrtarë, burokratë të pandreçshëm, të luajnë me ndjenjat dhe durimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj?! S’duhet të ketë kompromis në të drejtën tonë për të patur sovranitet, integritet, për të levizur lirshëm e për të qenë të respektuar për vendimet që i marrim. Taksa 100% të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja. Zotëri Komisionar Hahn, me këto lajme do të ishte më mirë të vinit në Kosovën e pavarur, e jo për të bërë trysni.”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn gjatë ditës së sotme u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, takim i cili nuk ishte bërë i ditur zyrtarisht.

Ndërkohë, gjatë ditës Hann do të qëndrojë për vizitë në Kosovë ku do të takohet me krerët e lartë shtetëror, me presidentin Thaçi, kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj si dhe liderët e opozitës. Fokusi kryesor i vizitës do të jetë në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 përqind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ai gjatë vizitës pritet ta përsërisë thirrjen për revokimin e taksës dhe të nënvizojë nevojën për fokusim në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal./21Media

Back to top button