Lekaj: Kurrë më s’do të ketë stërzgjatje të projekteve

Sipas Lekajt autostrada “Arbën Xhaferi” do të përfundojë me 31 dhjetor të këtij viti

Sot, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtor, i shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, realizuan vizitë inspektuese në segmentin e fundit të Autostradës “Arbën Xhaferi”, me ç’rast inspektuan punimet që janë duke u realizuar në urën më të gjatë në rajon, e cila është edhe njëra nga vlerat e arkitekturës infrastrukturore në vend.

Lekaj tha se ai është i kënaqur me punët që janë bërë dhe po bëhen dhe se sipas tij tashmë është krijuar një standard i lartë i infrastrukturës rrugore në Kosovë dhe se infrastruktura rrugore dhe qarkorja e autostradave do të përmbyllet brenda katër viteve .

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se përmbyllja e infrastrukturës rrugore ka ndikim në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit turistik në vend dhe krijon lidhje të korridoreve që e rrethojnë Kosovën. Ai tha se ky projekt ndikon edhe në rritjen e GDP-së, sepse në Autostradën “Arbën Xhaferi”, janë të nënkontraktuara 344 kompani, me mbi tre mijë punëtorë dhe tetëdhjetë përqind e buxhetit mbetet në Kosovë, duke shtuar se, projektet e tilla kanë mbështetjen e Parlamentit të Kosovës dhe këtë e dëshmon më së miri prania e deputetëve, në këtë vizitë inspektuese.

Pal Lekaj, po ashtu ka thënë se janë të përkushtuar që ta ndryshojnë politikën e deri tashme kur projektet janë stërzgjatur, duke ripohuar edhe një herë se kjo autostradë do të përfundojë me 31 dhjetor të këtij viti.

Ministri Lekaj saktësoi se investimet e këtij lloji, mundësojnë integrimin rural e urban të Kosovës, por mbi të gjitha sipas Lekajt po bëhemi epiqendër moderne e lidhjes së korridoreve ndërkombëtare, ndërsa duke folur për angazhimet dhe mbështetjen që Ministria e Infrastrukturës, e ofron në projekte të ndryshme, Lekaj tha se janë 42 milionë euro që janë ndarë për mbështetje të të gjitha komunave në vend, pa dallim se nga kush janë të menaxhuara ato komuna dhe krejt kjo vetëm që të ndryshohet pozitivisht infrastruktura në vend./21Media

Back to top button