Lekaj ka reaguar ndaj shkrimeve të mediave serbe

Lekaj ka reaguar ndaj shkrimeve të mediave serbe

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se shpifjet e mediave serbe se njerëz të UÇK-së kanë lidhje me ISIS-in, janë më tepër se hipokrizi dhe se qëndrimet e Daut Haradinaj përballë këtyre organizatave terroriste dihen botërisht.

Ai në një postim në Facebook reaguar ndaj shkrimeve të mediave serbe kundër Daut Haradinajt, duke thënë se shqiptarët kanë bërë luftë të drejtë për çlirimin e vendit për ç’gjë janë mbështetur edhe nga mbarë bota demokratike.

“Serbia po “dëshiron” marrëdhënie të mira me Kosovën, duke mos e ndalë luftën speciale, përmes mediave qeveritare, kundër njerëzve të UÇK’s.Daut Haradinaj, si çdo i ri në mbarë botën, i është bashkuar një kauze popullore për çlirimin e vendit të vet. Kjo nuk bie ndesh me asgjë, sepse të gjitha konventat ndërkombëtare e pranojnë të drejtën e popujve për t’u çliruar nga pushtuesit. Shpifjet e tilla, se njerëz të UÇK-së kanë lidhje me ISIS-in, janë më tepër se hipokrizi. Qëndrimet e z.Haradinaj përballë këtyre organizatave terroriste dihen botërisht. Shteti serb, është ai që ndoshta, po financon ekstreme të tilla në Kosovë”, thuhet në postimin e Lekajt.

Po ashtu Lekaj ka thënë se Daut Haradinaj në çdo rrethanë është angazhuar që brenda Kosovës të jetojnë të gjithë qytetarët e saj me të drejta të barabarta dhe se në asnjë rast a rrethanë nuk kanë ndodhur ato gjëra për të cilat pa fije turpi gënjejnë mediat qeveritare të Serbisë.

“Mediat në Serbi nuk duhet të lejohen të bëjnë rrolin e gjyqtarëve, sepse të tillat në të kaluarën me dezinformata kundër shqiptarëve, e në shërbim të ish-regjimit të Millosheviqit, kanë shkaktuar vetëm përçarje në mes të popujve dhe gjakderdhje, në tërë Ballkanin. Prandaj dikush duhet tu thotë mjaftë! Është koha që të gjithë në rajon, të mos merren me shpifje që e rëndojnë situatën edhe ashtu shumë të brishtë, por të kontribuojnë për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën e cila duhet të na shpie në paqe të qëndrueshme. Kjo e vërtetë është se, shqiptarët kanë bërë luftë të drejtë për çlirimin e vendit për ç’gjë janë mbështetur edhe nga mbarë bota demokratike. Pra mjaftë e luftuat Kosovën, duke hedhur baltë mbi njerëzit më meritorë të saj”, thuhet në postimin e Lekajt.