Lumezi vendos që rasti Dehari të hetohet nga Prokuroria Speciale

Lumezi vendos që rasti Dehari të hetohet nga Prokuroria Speciale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit, të kaloj nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale.“, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Me me anë të këtij vendimi, bartës i kësaj lëndë do të jetë Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe do të mbështetët nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Ndërkaq, mbikëqyrja e këtyre prokurorëve në trajtimin dhe progresin e veprimeve të ndërmarra në këtë çështjeje paraprake penale do të bëhet nga prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Po ashtu, bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkoj që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvilloj hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti.”, përfundon në komunikata.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje. Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran.Ky institut konstatoi se hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh./21Media