Leonora Poloska: Ajo shumë, nuk përmbyll as zërimin e koncertit që duam ta bëjmë

Leonora Poloska: Ajo shumë, nuk përmbyll as zërimin e koncertit që duam ta bëjmë

Ndarja e mjeteve nga Ministria e Kulturës në Maqedoni për projektin “Vala e Re Kulturore 2019”, ka revoltuar edhe këngëtaren Leonora Poloska. Koncertin “20 vjet me këngët e Leonora Poloskës dhe Artan Kastratit” ajo thotë se do ta anulojnë nëse ministria nuk u jep 600 mijë denarë, si­ç kanë kërkuar. Poloska tha se shuma prej 100 mijë denarëve që ia ka aprovuar komisioni, është qesharake. Sipas saj ato mjete nuk mjaftojnë as për zërim, e lëre më për një koncert madhështor profesional.

“Është me të vërtetë qesharake, sepse ajo shumë, nuk përmbyll as zërimin e koncertit që duam ta bëjmë. Ne nuk po flasim për një koncert të një niveli të ulët, ne kemi dëshirë të bëjmë diçka të bukur, e ato të holla ekzistojnë në fond për të bërë di­çka të mirëfilltë, nuk duhet të bëhet problem kjo punë”.

Nëse ngeleni me 100 mijë denarë, a ka gjasa që koncerti të dështoj, të mos mbahet?

“Unë vetëm se e thash, me ato para nuk përmbyllet as zërimi, e tash ju bëjeni matematikën”, deklaroi Leonora Poloska.

Këngëtarja ka një pyetje për komisionin, a janë ata kompetentë për vendet e tyre të punës. Leonora thotë se me siguri nuk kanë qenë të lindur kur kanë filluar veprimtarinë artistike, para 25 vjetësh, ajo dhe kompozitori Artan Kastarti, prandaj edhe ndoshta nuk i njohin.

“Ne ndjejmë revoltë të dytë. Ndoshta nga njëri aspekt unë edhe e kuptojë këtë, pasi që ata njerëz të cilët janë aty, që na kanë kthyer përgjigje, në kohën kur ne kemi vepruar, domethënë para 25 viteve, ata ndoshta as nuk kanë qenë të lindur, prandaj kanë dhënë atë përgjigje që kanë dhënë. Në fakt unë dua t’i bëj pyetje, a janë adekuat në ato vende që i kanë fituar në ministri, a kanë diploma të shkollës së muzikës siç kanë Artani e të tjerë”, u shpreh Leonora Poloska, raporton TV21.

Kompozitori Artan Kastrati akuzoi ministrinë e Kulturës për parregullsi dhe korrupsion në ndarjen e mjeteve për “Valën Kulturore 2019”, por Ismet Ramadani, kryetar i komisionit i quajti  gënjeshtra dhe shpifje akuzat e tij.

Kastrati gjatë ditës së nesërme do të dorëzojë ankesë në Ministri të Kulturës.

Ndryshe buxheti total për “Valën e re kulturore” ku bën pjesë ky koncert për këtë vit është 20 milionë denarë ndërsa sipas listës mjete në shuma të ndryshme kanë fituar 154 aplikues./21Media