Letonia vazhdon përkrahjen për Maqedoninë në integrim evropian

Xhaferi realizoi takim zyrtar me Murniece

Në kuadër të pjesëmarrjes së Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim zyrtar me Inara Murniece, Spikere e Parlamentit të Republikës së Letonisë.

Gjatë takimit u shpreh mirënjohje për përkrahjen e fuqishme dhe konkrete që Republika e Letonisë ia jep Republikës së Maqedonisë në planin e integrimit evropian dhe euroatlantik.

Si impuls tejet pozitiv në këtë kontekst u përmend Deklarata e përbashkët për hapjen e negociatave para aderuese të Bashkimit Evropian me Republikën e Maqedonisë, e miratuar nga ana e përfaqësuesve të komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë në vitin 2012.

Me këtë deklaratë u promovua koncepti i zgjidhjes paralele të kontestit rreth çështjes së emrit dhe fillimit të negociatave aderuese, koncept i cili më tutje ishte përkrahur nga shumë vende-anëtare të Bashkimit Evropian, shkruan tv21.tv

Murniece i drejtoi urime të përzemërta për zgjedhjen në funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Njëkohësisht, uroi për zgjedhjen e Qeverisë së re, si hap i parë kah stabilizimi i gjendjes politike në shtet pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit, të cilat i dënoi si atak mbi demokracinë.

Ajo theksoi se Republika e Letonisë edhe më tutje do të mbesë përkrahëse e fuqishme e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, për arsye se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet prej integrimit të saj të tërësishëm evropian. Me këtë do të krijohen themele të forta për eliminimin e të gjitha ndikimeve ndërkombëtare negative në aspektin rajonal të sigurisë.

Bashkëbiseduesit ndanë bindje të ndërsjella dhe pritje se bashkëpunimi bilateral fortë i vendosur ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit të Republikës së Letonisë në nivel të grupeve parlamentare për bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një ritëm të njëjtë, me ç ‘rast deputetët e dy parlamenteve do të kenë mundësi që për së afërmi të këmbejnë mendime dhe përvoja nga puna parlamentare, politika ndërkombëtare dhe çështjet tjera aktuale./21Media

 

 

Back to top button