"Uroj të përballemi në Champions League, vitin e ardhshëm dhe çdo vit tjetër"

“Uroj të përballemi në Champions League, vitin e ardhshëm dhe çdo vit tjetër”

Eden Hazard i dha lamtumirën Chelseas pas 6 vjetëve qëndrimi në “Stamford Bridge”.

Belgu ka firmosur tashmë për Realin e Madridit për të nisur një aventurë të re në Spanjë.

Hazard është ndarë nga tifozeria e Chelseat me një letër të hapur, postuar në faqen e tij në Facebook.

“Për miqtë dhe familjen Chelsea,

Ju tashmë e dini që do të bashkohem me Realin e Madridit. Nuk është sekret që ishte ëndrra ime të luaja për ta që i vogël. Kam bërë maksimumin për të mos shpërqendruar veten dhe ekipin në periudhën e vështirë të spekulimeve dhe të vëmendjes mediatike, sidomos në 6 muajt e fundit.

Tani klubet kanë arritur një marrëveshje dhe shpresoj që ta kuptoni se duhej të nisja kapitullin tim të ri, ashtu si çdokush prej jush do duhej të bënte, kur vjen shansi për të ndjekur ëndrrat tuaja. Largimi nga Chelsea është vendimi më i madh dhe më i vështirë i karrierës sime, deri tani. Tani që nuk ka më dilema, do doja të sqaroja një gjë që ka qenë gjithnjë e qartë për mua: E kam dashur çdo moment te Chelsea dhe nuk e mora në konsideratë idenë se mund të luaja në një ekip tjetër.

Isha vetëm 21 vjeç kur u bashkova me këtë klub dhe jam rritur si njeri e lojtar me ju të gjithë, që më keni ndihmuar të bëhem kapiten i Kombëtares së Belgjikës. Ka pasur edhe momente të vështira, për skuadrën dhe për mua, por i tillë është futbolli. Sidoqoftë, futbolli për mua është të luash me top, të zbavitesh. Jemi me fat që e luajmë këtë lojë të bukur dhe kjo është gjithnjë këshilla ime për ata që kërkojnë ndonjë këshillë! Luani futboll dhe zbavituni.

Edhe kur nuk po luanim mirë, u mundova të bëj maksimumin dhe kjo ka ndodhur për shkak të mbështetjes suaj mahnitëse. Dëshira për të luftuar, shpirti i garës dhe refuzimi për t’u dorëzuar është pjesë e kulturës te Chelsea dhe e kam prej jush.

Kur mendoj momentet speciale me fanellën e Chelseat, ka shumë dhe jemi me fat që kemi fituar më shumë se ndeshje sesa kemi humbur. Kemi fituar shumë trofe ndonjë ditë do kem mundësi të ulem me një birrë përpara dhe të qesh me krenari për penalltinë time të humbur që çoi te goditja ime me kokë që na dha titullin ndaj Palace, apo golat ndaj Tottenham, Arsenal e Liverpool.

Kujtimet janë të gjalla sepse atmosfera që krijonit ju ishte fantastike dhe do ta kujtoj me krenari. Uroj të jeni zbavitur po aq sa unë. Chelsea dhe tifozët e Chelseat do jenë gjithnjë specialë për mua dhe sezonin e ardhshëm gjëja e parë që do bëj është të shoh rezultatin e Chelseat. Uroj të përballemi në Champions League, vitin e ardhshëm dhe çdo vit tjetër.

Ju falënderoj të gjithëve, ish-kolegët e mi, pronarin Abramovich dhe stafin e tij, që më ndihmuan të realizoj jo një, por dy ëndrra: së pari të bëhesha futbollist i Chelseat dhe sot, së dyti, të bëhesha futbollist i Real Madridit.

Ju uroj të gjithëve më të mirën e mundshme, miqtë e mi.” , ka shkruar Hazard.

Eden Hazard jo vetëm që do të bëhet transferimi më i shtrenjtë në historinë e Real Madridit, por edhe lojtari më i paguar i klubit. Presidenti Florentino Perez ka rënë dakord me Chelsean, të cilës do t’i derdhë në arkat e klubit 100 milionë euro dhe 30 të tjera në formë bonusi. Paga e Hazardi thuhet se do të dyfishohet në 400 mijë sterlina apo e thënë ndryshe 450 mijë euro në javë, që përkthehet në 23.35 milionë euro në vit.