Ditë të ftohta janari, por plot pasion...

Ditë të ftohta janari, por plot pasion…

Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli përmes një postimi në facebook ka ndarë disa kujtime për të atin.

Ajo ka sjellur letërkëmbimin ndërmjet babait të saj dhe nënës me rastin e celebrimit të tyre.

“Data 6 janar 1965 shënon ditën e celebrimit të babait tim me nënën time . Ditë të ftohta janari ,por plot pasion , aq bukur të përshkruara në letërkëmbimin mes tyre :
“E dashur Sadije ,
U ktheve në shtëpi e lodhur , po me fitore . U bëre zyrtarisht gruaja ime .S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka , se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prap bashkë do të ishim .

Dje , pas celebrimit tonë të famshëm , unë kam qirasur gjithë ata njerëz . Të trashëgohesh , thosh njeri; të trashëgohesh , thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje !Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.
Lutjen a e bëre ? Mos e lër pas dore dhe mos i nënvleftëso formalitetet , si unë , se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjendjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm . Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.
Eja papritur ndonjëherë.
Të puth shumë
Dritëro
7.1.1965

” Ngrive ti sot tek autobuzi , moj e dashur ; dimri është stinë e vështirë për dashnorët ! Sa marr udhën për në shtëpi , mendoj për të ardhur prap tek ti . Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem , dhe pa marrë biletën them me vehte:sikur mos ketë bileta e të ik pasdite !( megjithëse duhet ikur në mëngjez).

Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë me republikën e plakut, megjithëse është e vjetër , po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

Yti Dritëro
8 janar 65

“E dashur Sadije , si je , moj gruaja ime e shtrenjtë? Je bërë fare dembele , as shkruan letra , as na vjen nga Tirana . Unë rri këtu vetëm e mërzitem për ty . Kur vij ndonjëherë vonë, në dhomë s’ka dritë, në dhomë është ftohtë. Atëherë them me vehte se po të ishte Sadija ime e dashur nuk do të mbretëronte kjo gjëndje !

Prushi në mangall po më shuhet . Në dhomë po bën ftohtë. Më duket sikur jam brenda në ujë, si peshqit e mij në akuarium .Dua të mbulohem me jorgan, pra, që t’i shpëtoj këtij të ftohti. Prandaj natën e mirë.
Të puth shumë
Dritëro
10.1.1965″ ka shkruar ajo në facebook.

Kujtojmë se shkrimtari i madh Dritëro Agolli u nda nga jeta më 3 shkurt të vitit 2017, për shkak të sëmundjes polmunare kronike nga e cila vuante prej vitesh./21Media