Aktivitetet për 10 vjetorin e Pavarësisë

Aktivitetet për 10 vjetorin e Pavarësisë

Me rastin e shënimit të festës së 10 vjetorit të Pavarësisë, “Let’s Do It Kosova” e mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të organizojë dy aksione të pastrimit, njërin në pikën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht në Han të Elezit, ndërsa tjetri do të realizohet në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Merdare.

Aksioni i parë do të organizohet në lokacionin ku është vendosur pllaka përkujtimore “Eksodi 99” ne Elez Han, pllakë e vendosur nga Qeveria e Kosovës si shenjë përkujtimi për eksodin e vitit 1999.

Ky aksion do të mbahet të enjten më 15 shkurt duke filluar nga ora 12:00, ku përveç vullnetarëve të Let’s Do It Kosova, do të marrin pjesë edhe nxënës të shkollave. Në këtë aksion do të angazhohet edhe Kompania publike “Pastrimi”.

Aksioni tjetër do të organizohet në pikën kufitare me Serbinë në Merdare. Të dy anët e rrugës në afërsi të kësaj pike kufitare janë të mbushura me mbeturina.

Aksioni në Merdare do të mbahet të premten më 16 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, ndërsa do të angazhohet Kompania e pastrimit “Natyra”.

Pjesëmarrjen në këto aksione e kanë konfirmuar ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, ndërsa i ftuar është ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj.

Vullnetarët e Let’s Do It Kosova do të marrin pjesë edhe në aksionin për mbjelljen e fidanëve tek Kompleksi Përkujtimor në Prekaz, që do të realizohet më 18 shkurt.

Përpos pastrimit të këtyre lokacioneve, këto aksione do të jenë edhe mesazh i mirë vetëdijesues për qytetarët për të rrisin vëmendjen e tyre për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Po ashtu, duke u bazuar në qarkullimin e madh që bëhet në këto dy vende gjendja e tillë me mbeturina në hyrje të shtetit është një pasqyrë e keqe.