Bashkë kundër terrorizmit

Bashkë kundër terrorizmit

Liderët botërore kanë reaguar pas sulmeve terroriste në Zelandë të Re, ku janë raportuar 49 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Kancelarja gjermane, Anglea Merkel, ka thënë se bota sot është e bashkuar kundër terrorizmit.

“Jam thellësisht e pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Christchurch. Ndjej pikëllim për qytetarët e Zelandës së Re të cilët u bënë viktima të urrejtjes raciste ndërsa po luteshin në mënyrë paqësore në xhamitë e tyre. Ne qëndrojmë së bashku kundër këtyre akteve të terrorizmit”, ka deklaruar Merkeli.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura.

“Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet e mia më të thella për popullin e Zelandës së Re pas sulmit të tmerrshëm terrorist në Christchurch. Mendimet e mia janë me të gjithë ata të prekur nga ky akt”, ka thënë May.

Ndërsa, presidenti i Komisionit Evropian, Donald Tusk, e ka përshkruar ngjarjen si lajm të trishtueshëm.

“Sulmi brutal në Christchurch nuk do të zbehë tolerancën dhe mirësjelljen për të cilën njihet Zelanda e Re. Mendimet tona në Evropë janë me viktimat dhe familjet e tyre”, ka shkruar Tusk në Twitter.

Këtë sulm e ka dënuar edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, duke thënë se janë bashkë kundër atyre që duan të shkatërrojnë shoqëritë tona.

“Ky akt brutaliteti i pakuptimtë ndaj njerëzve të pafajshëm në vendin e tyre të adhurimit nuk mund të ishte më i kundërt me vlerat dhe kulturën e paqes dhe unitetit që Bashkimi Evropian ndan me Zelandën e Re. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me Zelandën e Re kundër atyre që me zili duan të shkatërrojnë shoqëritë tona dhe mënyrën tonë të jetesës”, bëhet e ditur në deklaratën e Juncker.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoaan, ka deklaruar se sulmi në Zelandë është shembull i rritjes së racizmit dhe islamofobisë.

“Dënoj fuqishëm sulmin terrorist në Zelandë të Re ndaj besimtarëve myslimanë. Në emër të vendit tim, i shpreh ngushëllimet e mia botës myslimane dhe popullit të Zelandës së Re, të cilët janë vënë në shënjestër nga ky veprim i mjerueshëm që është shembulli më i fundit i rritjes së racizmit dhe islamofobisë”, ka shkruar Erdogan në Twitter.

Sulmin e ka dënuar edhe kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, që njëjtë si Erdogan ka thënë se këto akte janë pasojë e islamofobisë dhe politikave kundër myslimanëve.

Përveç liderëve botërorë, lidhur me aktin terrorist kanë reaguar edhe liderët e shtetit të Kosovës. Ata kanë thënë se Kosova e dënon ashpër këtë akt terrorist.

Brenton Tarrant, raportohet të jetë i dyshuari i këtij akti terrorist, i cili ka filmuar tërë ngjarjen. Ai ka filmuar veten duke shtënë me armë mbi myslimanët të cilët po falnin namazin e xhumasë.