Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë mbërritur në Berlin per tu takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron

Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë mbërritur në Berlin per tu takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron

Sipas agjendës, kancelarja Merkel do të presë këtë pasdite fillimisht kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, e më pas Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me të cilin do të zhvillojë edhe një takim kokë më kokë. Ende nuk ka shumë detaje lidhur me temën e diskutimit mes Merkel dhe kryeministrit Rama. Por, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë që edhe ky Samit t’i ndihmojë për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Pas takimit me Ramën, kancelarja do të mbajë një diskutim të shkurtër dypalësh me presidentin francez Macron, pasuar nga deklaratat për shtyp.

Në samit do të marrin pjesë edhe President i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, konfirmuan mbërritjen e tyre në Berlin me anë të postimeve në Facebook. Ata kanë bërë të qartë se presin që ky takim i Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor t’i hapë rrugën liberalizimit të vizave si dhe te vendosë pikët për vijimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Agjenda vijon me mbajtjen e një takimi të përbashkët dhe nje darkë pune, pas të cilës do të lëshohet edhe një deklaratë e përbashkët për konkluzionet e takimit të lartë.

Merkel dhe Macron pritet që të inkurajojnë në këtë samit Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.