Ligji i ri për OJQ-të rrezikon të ardhmen e shoqërisë civile

Me 7 nëntor Kuvendi ka miratuar Ligjin e ri për OJQ-të

Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, respektivisht Kuvendi i Kosovës që Ligjin për OJQ-të ta aprovojnë sipas kërkesave të shoqërisë civile, respektivisht amendamenteve të propozuara nga Zyra e Presidencës.

Më 7 nëntor, Kuvendi ka miratuar Ligjin e ri për OJQ-të me shumë ndryshime të momentit të fundit që e rrezikojnë funksionimin e sektorit joqeveritar.

Rreth 80 organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar nga presidenti, Hashim Thaçi ta kthejë ligjin në Kuvend, gjë që ka ndodhur më 23 nëntor. Ndërsa tani Kuvendi pritet ta diskutojë në Komisionin funksional dhe seancë plenare. Problemi kryesor i ligjit të miratuar, sipas organizatave të shoqërisë civile, ka të bëjë me shkeljen e parimit kryesor të sektorit, atij jo-për-përfitim, i cili thotë se të gjitha të ardhurat dhe pasuritë e OJQ-së duhet të shfrytëzohen vetëm për përmbushjen e misionit të organizatës.

Në kundërshtim me këtë parim, përkujtojnë më tej organizatat e shoqërisë civile dispozitat e ndryshuara lejojnë që pasuria e një OJQ-je pas shuarjes të mund të transferohet edhe te institucionet tjera, përfshirë bizneset private.

“Përtej mundësisë së tjetërsimit të pasurive të OJQ-ve në sektor privat, nëse nuk ndryshohet, kjo dispozitë do t’i parandalojë donatorët nga garancionet e domosdoshme ligjore që donacionet e tyre do të përdoren për qëllimet jo për përfitim”, bëhet e ditur në komunikatë.

Dispozita e re gjithashtu, sipas organizatave të shoqërisë civile është në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Bankat, lidhur me nismën për lejimin e transformimit të OJQ-ve mikrofinanciare. Gjithashtu, mjaft problematike është edhe ndryshimi i bazës së shuarjes së OJQ-së nga jo-solvente në jo-aktive.

“Jo-solvenca është pa-aftësia për të paguar, ndërsa jo-aktiviteti është koncept jo-financiar, që nuk definohet as në legjislacionin kosovar e as në praktikën ndërkombëtare. Interpretimi i jo-aktivitetit si bazë për shuarje krijon mundësi të drejtpërdrejtë për vendime arbitrare në raport me shuarjen e OJQ-ve dhe rrezikon të drejtën kushtetuese të lirisë së asocimit. Problemet tjera kanë të bëjnë kryesisht me vështirësimin e themelimit dhe regjistrimit të OJQ-ve dhe cenimin e Statusit për Përfitim Publik”, bëhet e ditur më tutje në komunikatë.

Back to top button