Ligji për ndërmjetësim do të zvogëlojë numrin e lëndëve në gjykata

“Norvegjia vazhdimisht ka ndihmuar Kosovën në sundimin e ligjit”

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar projektin, “Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi dhe Reformës së Sundimit të Ligjit” ku është diskutuar Ligji për Ndërmjetësim.

Me këtë rast, Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo u shpreh se muajt në vazhdim do të punojnë për të bërë progres në ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit.

“Në muajt në vazhdim do të bëjmë shumë progres në ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit”, tha ajo.

Ambasadori i Norvegjisë, Strand Sjaastad potencoi se Norvegjia vazhdimisht ka ndihmuar Kosovën në sundimin e ligjit. Ndërsa ka theksuar se rishikimi i sistemit gjyqësor ka nevojë për përmirësim.

Partneriteti në mes ministrisë së Drejtësisë dhe disa ambasadave sipas tij ka mundësuar që sundimi i ligjit të shkojë përpara.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se qasja në drejtësi përmes ligjit për ndërmjetësim do të jetë më e lehtë dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohet edhe numri i lëndëve në gjykata.

“KGJK mirëpret bashkëpunimin për të punuar ngushtë në arritjen e rezultateve të reja për sundimin e ligjit. Qasja në drejtësi përmes ligjit për ndërmjetësim do të jetë më i lehtë. Benfitet e ndërmjetësimit janë, nëse lëndët kryhet me ndërmjetësim gjykatat do të zvogëlojnë numrin e lëndëve. Me ndërmjetësim të dy palët do të ndahen të kënaqura”, tha ai.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni tregoi veprimet që i kanë ndërmarrë që pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndërmjetësim.

“Ne tani pas hyrjes në fuqi të ligjit bazik për ndërmjetësim si këshill kemi bërë hapat konkret dhe jemi takuar me përfaqësuesit e UNDP-së dhe kemi caktuar një prokuror që ka pasur për detyrë të organizojë takime në qytete të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit të gjyqtarëve për ndërmjetësim. Nga këto takime që janë organizuar kemi marrë opinione që shumë është kuptuar drejt ndërmjetësimi”, tha ai.

Back to top button