Javën e ardhshme mbahet seancë parlamentare

Javën e ardhshme mbahet seancë parlamentare

Partitë kanë afat deri më 27 gusht të merren vesh mbi Ligjin për Prokurorinë Publike, pasi kjo pikë është vendosur në rend dite në shtëpinë ligjvënëse. Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë pritet që deputetët të debatojnë për propozim-tekstin, të cili në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut e dorëzoi Qeveria, respektivisht ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Për miratimin e ligjit nevojitet shumicë prej 2/3, respektivisht 80 vota deputetësh. Tani për tani nuk ka as shumicë të tillë, e as harmonizim të qëndrimeve mes pushtetit dhe opozitës. Takimi i radhës mes grupeve të punës, më me gjasa do të mbahet të hënën, edhe pse nuk ka lëvizje të pozicioneve.

Nevoja për sjelljen e një ligji të tillë është e domosdoshme, kurse është në interes të vendosjes së shtetit të së drejtës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Pres se të gjithë kolegët e mi do të ngrihen mbi interesat partiakë dhe në funksion të së drejtës, shtetit ligjor, dhe kuptohet në interes të qytetarëve – me konsensus ta sjellim Ligjin për Prokurorinë Publike”, deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Opozita thotë se për një ligj të tillë nevojitet konsensus, kurse për momentin nuk ka një gjë të tillë. Sipas VMRO-DPMNE-së, për këtë fajin e ka pushteti.

Sjellja e një ligji të tillë kërkon konsensus, kurse që të arrihet konsensus, parashtrohet pyetja – nëse dëshiron pushteti të vazhdojë me amnisti të fshehur për mafinë shtetërore dhe për personat që janë përfshirë në “Reket”, “Leonardo” dhe skandalet e tjera të korrupsionit, ose dëshiron një ligj të vërtetë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit”, theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Deskoska gjatë kësaj jave në një intervistë tha se pengesa gjatë negociatave nuk ka qenë Katica Janeva, por kërkesa për mbylljen e procedurave që i ka nisur PPS-ja në 18 muajt e parë dhe për shkatërrimin e provave të grumbulluara deri në atë moment. Takimi i fundit mes grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës në të cilin u debatua për Ligjin për Prokurorinë Publike, u mbajt në korrik. Propozim-ligji i cili i është dërguar Kuvendit, duhet të votohet me procedurë të shkurtër. Edhe nga Brukseli dolën me kërkesë që ligji të sillet sa më shpejt që është e mundur./TV21