Limaj: Askush nuk do t’i sjellë marrëveshje të dëmshme vendit

Limaj ka thënë se shpejt Delegacioni do ta procedoi për kryesi platformën për bisedime me Serbinë

Delegacioni Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka mbajtur mbledhjen e radhës. Pas këtij takimi, bashkëkryesuesi i këtij delegacioni, Fatmir Limaj ka thënë se Delegacioni mban takime të rregullta dhe ky ishte një takim i radhës punë ku është diskutuar edhe për platformën e dialogut me Serbinë.

Limaj ka thënë se shpejt Delegacioni do ta procedoi për kryesi platformën për bisedime me Serbinë. Ai ka thënë se Delegacioni Shtetëror ka mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe Kushtetuta dhe se nuk do të diskutohet për tema të cilat cenojnë interesin e Kosovës.

Limaj është shprehur i sigurt se Kosova do ta ketë një zë në raport me bisedimet me Serbinë. I pyetur rreth përmbajtjes së platformës, ai ka thënë se platforma ngërthen në vete ato që parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe shpejt do t’i procedohet Kuvendit për miratim.

“Platforma dhe marrëveshja eventuale do të jetë në interes të vendit tonë. Një marrëveshje e cila nuk është në interes të vendit kurrë mos u votoftë. Nuk besoj që dikush sjell marrëveshje që dëmton vendin. Nuk pranojmë gjëra që dëmtojnë vendin. Mos harroni jemi njerëz të këtij vendi dhe nuk pranojmë gjëra që dëmtojnë vendin”, ka thënë Limaj pas takimit të delegacionit shtetëror.

Sa i përket materialit, të cilin e disponon presidenca, ai ka thënë se pret që presidenca t’ia procedoj delegacionit gjithë materialin që ka.

Back to top button