Takimi Limaj - Mustafa

Takimi Limaj – Mustafa

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj ka zhvilluar sot një takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, në vazhdën e takimeve para zgjedhjeve.

Pas takimit me Mustafën, Limaj tha se janë pajtuar që të votojnë për shpërbërjen e Kuvendit, që vendi të shkojë në zgjedhje. Po ashtu, Limaj tha se me Mustafën diskutuan për rëndësinë e procesit zgjedhor, se Kosovës i duhet një qeverisje e fuqishme me bazë të gjërë.

“Patëm një takim të rregullt. Ne kemi pasur me u taku edhe të shtunën, por është shtyer takimi shkaku i disa çështjeve personale. Folëm edhe për rëndësinë e procesit zgjedhor. Kosovën e presin tema të rëndësishme duhet të jemi të kujdesshëm në fazën paragjedhore. Kosovës i duhet një qeverisje e cila kryen punë. Është një moment i rëndësishëm dhe vendi mjaft ka humbur. Është momenti që vetë procesi zgjedhor të karakterizoj seriozitetin për qeverinë e ardhshme. Nuk është mirë që fushtatat të bëhen me patriotizëm e pastaj të veprohet krejt ndryshe.”, tha Limaj.

Në fund, lideri i Nismës tha se Kosovës i duhen një Qeveri që kryen punë e t’i ndalë fjalët.

Lideri i LDK-së më herët zhvilloi takim me kreun e PSD-së, Shpend Ahmeti, dhe ky i fundit tha se se ky takim ishte pozitiv dhe në frymë të bashkëpunimit. Ndërsa sa i përket mundësisë së një koalicioni parazgjedhor me këtë parti, Ahmeti u shpreh se LDK mendon të shkojë në zgjedhje e vetme, megjithatë tha se mbetet një frymë bashkëpunimi ku i kanë të hapura të gjitha temat.

Krerët e këtyre subjekteve politike u dakorduan që më 22 gusht të jenë të gjithë deputetët në sallë për seancën e jashtëzakonshme për të shpërndarë Kuvendin, në mënyrë që t’u hapet rrugë zgjedhjeve, e sipas Ahmetit me shumë gjasë zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 6 tetor.

Javën e kaluar, Mustafa zhvilloi takim me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, me të cilin u pajtuan që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje./21Media