Limaj: Ma shumë po rri me gjykatës se me grua

Fatmir Limaj tha se turi i dëgjimit nga Veseli është një hajgare e madhe në nivel vendi

Kryetari Nisma-s për Kosovë, Fatmir Limaj, sonte në emisionin “Kojshia Show” tha se mbi 90% të qytetarëve nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në vend dhe derisa  është kështu sipas tij kjo është gjendje e frikshme, duke thënë se kur njerëzit i besojnë gjykatave, atëherë ai vend është në rregullë.

I pyetur për formimin e ushtrisë, Limaj tha se moti i kemi plotësuar kushtet për formimin e ushtrisë sepse ka djemë të jashtëzakonshëm në FSK, ka pasur në UCK, TMK dhe tani në FSK e polici. Ai tha se për këto duhet të ndihemi mire, por që kanë mundur të zhvillohen edhe më shumë po të mos kishin pengesa rrugës, shkruan rtv21.tv

Limaj komentoi edhe turin e dëgjimit me qytetarë të kryeparlamentarit Veseli, duke thënë se ai është kopje e një filmi, një emision interesant që ia kalon edhe “Kojshia Showt”. Ai tha se turi i dëgjimit është një hajgare e madhe në nivel vendi, sipas të cilit Veseli duhet të veprojë ato që i ka premtuar e jo të veprojë kësisoji.

Kreu i Nisma-s foli edhe për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë ku tha se nuk beson se është kurdisje për shkak të Demarkacionit me Malin e ZI, por  shtyrja e fundit që iu bë Haradinajt sipas tij është për shkak të zgjedhjeve në Serbi.

Limaj u pyet edhe për ndalesa që iu bënë atij nga gjykata të ndryshme, ku pak si me shaka tha se ma shumë po rri me gjykatës se sa me gruan e tij.

Ndërkaq, në fund Limaj dha edhe një mesazh për qytetarët e vendit. Ai i porositi ata që ta duan vendin e tyre. “Kam besim te gjeneratat e reja, jeni gjeneratë e pavarësisë…Mos e shani shtetin, pushtetin mundeni, por shtetin mos e shani. Bone dallimin mes shtetit dhe pushtetit”, tha në fund Limaj./21Media

Back to top button