Limaj: Nisma fituesja më e madhe e zgjedhjeve

Limaj tha se Llapusha njihet për mbajte të fjalës së dhënë

Pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit, NISMA për Kosovën ka zgjedhur së pari Malishevën për të falënderuar strukturat e kësaj partie për punën dhe angazhimin që kanë bërë në zgjedhjet parlamentare.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, duke folur para simpatizantëve të kësaj partie, tha se Nisma për Kosovën është fituesja më e madhe këtyre zgjedhjeve.

Pasi ka falënderuar bashkëvendësit e tij për besimin e dhënë, Limaj tha se Llapusha njihet për mbajte të fjalës së dhënë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi, ka thënë se nga kandidatët për deputetë nga Nisma për Kosovën do të kërkojë përgjegjësi të lartë në përfaqësimin e nevojave të qytetarëve në Kuvend.

Duke folur për themelimin e kësaj partie, Krasniqi tha se Nisma është themeluar për t’u dhënë pozicion të rinjve social-demokratë, dhe jo vetvetes.

E kandidati për deputet nga koalicioni PAN Bilall Sherifi, u ka premtuar qytetarëve të Malishevës se do të punojë me angazhim maksimal në mënyrë që të çojë në vend besimin e dhënë nga qytetarët. Ai tha se bashkë me kryetarin e Nismës Fatmir Limaj, do të ti rrëzojnë të gjitha muret që ndajnë Malishevën.

Të pranishëm në takimin me strukturat e Nismës në Malishevë ishin edhe kandidatët për deputetë të kësaj partie, Zafir Berisha, Valdete Bajrami dhe anëtarë të tjerë të partisë.

Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit, NISMA për Kosovën e cila ka lidhur koalicion parazgjedhor me PDK-në dhe AAK-në ka fituar 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës./21Media

Back to top button