Limaj: Së shpejti do ta kemi edhe takimin e radhës

Limaj e Ahmeti në Bruksel

Pa paralajmërim bashkëdrejtuesit e dialogut, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, dje kanë udhëtuar për në Bruksel për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Pas kthimit nga Brukseli, Limaj ka konfirmuar se atje kanë shkuar për të bërë modelimin e dialogut të mundshëm. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se me këtë rast është përmendur edhe taksa.

“Duhet të kthehemi në tavolinë dhe të bisedojmë çështjet e hapura që kemi me Serbinë. Së shpejti do ta kemi edhe takimin e radhës”, ka thënë Limaj.

Sipas Limajt, ky dialog duhet të shkojë direkt te marrëveshja finale.

“Platforma shpresojmë që të përcillet në Kuvend në javën e ardhshme. Jemi duke e bërë modelimin e dialogut të mundshëm. Ky dialog duhet të shkojë direkt e te marrëveshja finale, me kushtet që ne kemi ndaj Serbisë”, ka deklaruar Limaj.

Dy bashkëkryesuesit e Ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, më 29 janar kishin zhvilluar një takim në Bruksel me zyrtarët e Bashkimit Evropian nga zyra e Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherinin. Ky ishte takimi i dytë i Ekipit Negociator nga Kosova me zyrtarët e BE-së. Takimi i parë është zhvilluar po ashtu në janar, kur është thënë se është diskutuar për fazën e ardhshme të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe tarifën doganore 100%, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ndërkohë, më 2 shkurt  ka kaluar në parim Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Back to top button