"Duhet të pushojnë arsyet për ta hequr taksën"

“Duhet të pushojnë arsyet për ta hequr taksën”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk do ta heqë taksën ndaj mallrave serbe derisa të reflektojë Beogradi zyrtar. Ai ka thënë për televizionin publik se taksa nuk do të hiqet pa plotësimin e kushteve nga ana e Serbisë.

“Janë qindra arsye që na kanë detyruar ta vëmë taksën. Duhet të pushojnë arsyet për ta hequr taksën. Taksa nuk do të hiqet pa plotësimin e kushteve. Besoj se kjo është e qartë për të gjithë. Vetvetiu taksa nuk hiqet pa plotësimin e kushteve, kërkesave të Kosovës që ka në raport me Serbinë”, ka thënë Limaj duke shtuar se pret që Serbia të reflektojë në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur disa herë se taksa, e vendosur në nëntorin e vitit të kaluar, nuk do të hiqet derisa Serbia të njohë shtetin e Kosovës. Nga ana e saj, Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.