Reagimi i Limajt pas votimit të rezolutës

Reagimi i Limajt pas votimit të rezolutës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj reagoi pas miratimit në Kuvend të rezolutës për Gjenocidin e kryer serb në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999.

Limaj u shpreh se përkundër që Kosova është vonuar në këtë proces dhe se krimi asnjëherë nuk vjetërsohet. Ai u bëri thirrje vendeve perëndimore të mos e tolerojnë Serbinë t’i mohoj krimet e kryera në Kosovë.

Kryetari i Nismës deklaroi përmes facebookut se pret që përpjekjet e Kosovës të mbështeten nga bota e qytetëruar për t’i zbardhur masakrat, si parakusht për të ecur përpara.

“Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate dhe në bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare, sapo ka votuar rezolutën për Gjenocidin e kryer serb në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999. Kosova përfundimisht po i kthehet vetes dhe po kërkon drejtësi për krimet e kryera nga ana e aparatit shtetëror serb. Edhe pse jemi vonuar në këtë proces, megjithatë krimi asnjëherë nuk vjetërsohet. U bëj thirrje vendeve perëndimore të mos e tolerojnë Serbinë t’i mohojë krimet e kryera, siç po bëjnë drejtuesit e Serbisë, duke i mohuar krimet dhe masakrat makabre mbi popullatën civile shqiptare. Presim që përpjekjet tona të mbështeten nga bota e qytetëruar për t’i zbardhur masakrat, si parakusht për të ecur përpara”, shkroi Limaj në facebook.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot votuan një rezolutë për gjenocidin serb të kryer gjatë luftës në Kosovë. Rezoluta u votua me votat e 79 deputetëve.