"As ndarje e as copëtim të Kosovës”

“As ndarje e as copëtim të Kosovës”

Dega e Nismës Socialdemokrate në Ferizaj sot ka shënuar 5 vjetorin e themelimit të saj, ku këtij subjekti politik në Ferizaj i janë bashkuar 150 anëtarë të rinj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj duke treguar objektivat e partisë së tij, ka thënë se në të ardhmen Nisma do të jetë faktor vendimtar në skenën politike të vendit, pasi nuk do të mund të formohet asnjë qeveri pa Nismën Socialdemokrate.

Duke folur për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Limaj ka shprehur lavdi dhe respekt për të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë, që bënë të mundur çlirimin e vendit tonë. Ai po ashtu ka ndarë një kujtim me ferizajasit nga koha e luftës së UÇK-së, ku siç ka treguar ai dhe bashkëluftëtarët e tij janë shpëtuar nga disa djemë të UÇK-së nga Ferizaj dhe Shtërpca.

“Ka pas një moment të luftës, ku jetën time dhe të disa bashkëluftëtarëve të mi, së bashku me Musë Jasharin nga familja Jashari dhe disa nga bashkëluftëtarë, ne kishim një detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm, një detyrë të rëndësishme në atë kohë, në vitin 1999, ose më mirë më thënë diku nga prilli i 99-tës, duhej të kalohej nga Ferizaj, Lipjani, Shtime dhe në Shterpcë, e prej Shprpcës në Maqedoni. Jetën time dhe të bashkëluftëtarëve të mi e kemi pas në dorën e disa djemve nga Ferizaj dhe Shterpca. Për të treguar se sa besnik janë njerëzit e kësaj zone, tregon më mirë momenti, që ne praktikisht erdhëm në një situatë ku ishim të rrethuar nga forcat serbe. Kemi qenë krejt shtatë veta dhe pas përshëndetjes njëri me tjetrin, sepse ajo situatë në të cilin ishim ne, më nuk kishte mundësi të tejkalimit, ose të shpërthimit të rrethimit. Ishin qindra forca serbe që na kishin rrethuar dhe ne ishim krejt shtatë vet, për më tepër edhe armë nuk kishim, kishim do armë që mirën për rrugë, armë të vogla, jo armë automatike. Dhe duke iu falënderuar djemve të kësaj zone, njëri prej tyre është dëshmor, njëri prej tyre është nga Burrniku, dhe janë nja katër djemë të Bordit, të Firajës, të Shterpcës, janë këta djemë të cilët na kanë nxjerrë nga rrethimi, na kanë shpëtuar jetën, na kanë përcjellë, kemi kaluar nëpër zona të rrethuara serbe dhe kemi dalë jashtë rrethimit dhe kemi vazhduar misionin tonë”, ka deklaruar Limaj, duke bërë me dije se prej këtyre djemve disa janë këtu sallë. Ai këta i quajti “heronj të heshtur të Kosovës”.

Limaj po ashtu ka folur për themelimin e Nismës pesë vjet më parë dhe u shpreh se ishte i bindur në suksesin e tij politik, meqë sipas tij e  dinte që populli do ta pranonte një vizion politik më ndryshe.

“Ne një grup intelektualë, qytetarë të këtij vendi, para pesë viteve dolëm me një platformë politike, duke qenë të bindur që vendit tonë i duhet një vizion politik, ndryshe nga ajo që ishte në skenën politike kosovare. Besuam që vendit i duhet një fisnikërim politik. Ne besuam dhe besojmë që kemi shumëçka për t’i dhënë vendit tonë. Ne atëherë ishim të bindur që një vizion i yni politik është mëse i domosdoshëm të jetë prezent dhe të luajë rolin në skenën politike kosovare. Skena politike kosovare ishte e mbushur me energji negative”, tha Limaj dhe shtoi se kjo energji negative nuk i shërbente vendit, pasi stopoi shumë projekte të vendit tonë “stopoi rritjen e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Limaj po ashtu ka pohuar se Kosova ka nevojë për të vërtetën edhe kur nuk pëlqehet, prandaj udhëzimet e tij kanë qenë për kryetarët e degëve “që ne nuk duam votë në këmbim të mashtrimit dhe në këmbim të fyerjes, aso vote nuk duam”.

Limaj ka folur edhe për dialogun, ku tha se Kosova është e gatshme për të dialoguar me Serbinë, por vetëm me një kusht, në tavolinë duhet të përfundojë njohja reciproke mes dy vendeve.

“Ne jemi të gatshëm me fillu dialogun kurdo me Serbinë, me një kusht, në tavolinë duhet të përfundojë njohja reciproke mes dy vendeve tona. Unë si drejtues i juaj që jam i përfshirë në atë dialog, ju siguroj që asnjë hap, e asnjë veprim, e asnjëherë nuk ka me ndodh kurrë, sikurse që nuk ka ndodhur deri më sot, as me pajtim me gojë e as me nënshkrim, asnjë gjë kundër interesit të vendit tonë. As ndarje e as copëtim të Kosovës”, ka thënë Limaj.

Kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Ferizaj, Besnik Berisha ka thënë se gjatë pesë vjetëve është bërë një punë e madhe për fuqizimin e kësaj dege, ku janë themeluar 37 nëndegë, ndërsa në zgjedhjet e fundit i kanë marrë me 2300 vota.

“Nisma në Ferizaj çdo ditë po rritet, po fuqizohet, jo vetëm me numra. Na ka thënë edhe kryetari Limaj që ne nuk jemi të interesuar për numra, jemi të interesuar për ide, jemi të interesuar për njerëz që kanë ide dhe shkojnë përpara bashkërisht. Nisma në Ferizaj është pjesë e qeverisjes lokale, ku jemi të përfaqësuar në asamblenë komunale me 3 asamblesistë, pastaj e kemi edhe një drejtori që e udhëheqim. Nisma nuk është vetëm mbështetëse e qeverisë, por është edhe kritikuese. Në qoftë se mendohet se Nisma është e kënaqur me një drejtori, atëherë e kanë gabim, sepse ne jemi të interesuar që programi i Nismës të jetë i inkorporuar në qeverisjen e komunës”, ka deklaruar Berisha.

Në fund të aktivitetit u shpërndanë 150 libreza për anëtarët e rinj të Nismës Socialdemokrate.