Ishin shoqëruar në polici për bllokim të rrugës Gjirokastër-Kakavijë

Ishin shoqëruar në polici për bllokim të rrugës Gjirokastër-Kakavijë

Janë lënë të lirë në orët e para të mëngjesit 12 personat e shoqëruar mbrëmjen e djeshme në Policinë e Gjirokastrës.

Mësohet se ata janë lënë të lirë rreth orës 02:00 duke u proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Mbi ekstremistin Babis K. rëndon vepra penale e kalimit të paligjshëm të kufirit, ndërsa për 11 të tjerët nxitje të urrejtjes dhe organizime të paligjshme të tubimeve masive.

Shkak u bë bllokimi për disa minuta i rrugës Gjirokastër-Kakavijë, por edhe deklaratat antishqiptare të një dite më parë në ceremoninë e varrosjes së Kostandinos Kacifas në Bularat.

“Në Pikën Kufitare Kakavijë, policia ka kryer kontrolle të imtësishme të personave të cilët vinin nga Greqia. Është ndaluar hyrja në Shqipëri për 44 qytetarë grekë, pasi kishte të dhëna që ata mund të krijonin incidente. Janë shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqëruar po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale nga Prokuroria. Mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke ka pasur një bashkëpunim të mirë për ndalimin e hyrjes së personave me prirje ekstremiste”, tha Policia e Shtetit në një deklaratë për shtyp mbrëmjen e djeshme në lidhje me masat e marra për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë mortore.