Policia ka arrestuar personin e dyshuar

Policia ka arrestuar personin e dyshuar

Policia e Kosovës ndërmori sot një aksion për të liruar një grua, e cila po mbahej e mbyllur në një ndërtesë pa dëshirën e saj dhe nën kërcënimin e armës, në Prishtinë.

Policia përmes një konferencë për media ka bërë të ditur se ishte reagimi i shpejtë i njësive policore të stacionit Qendra, që ka mundësuar në arritjen e lirimit të viktimës si dhe arrestimin e personi të dyshuar.

“Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën nga ankuesja (femër) se në rrugën ‘Bajram Kelmendi’ në Prishtinë, saktësisht në një banesë është duke u mbajtur me dhunë, nga një person i dyshuar i cili është i armatosur. Ka qenë reagim i shpejtë i njësiteve policore të stacionit Qendra, që ka mundësuar lirimin e viktimës si dhe arrestimin e personit të dyshuar”, u tha në konferencën për media.

Gjithashtu është theksuar se personi i arrestuar për rastin në fjalë është A.M, 45 vjeç shtetas i Kosovës.

Në vendin e ngjarjes po ashtu është bërë konfiskimi i një revole të tipit C.Z e kalibrit 7.65mm, 7 fishekë dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike, që dyshohet të jetë kokainë.

Viktimës në fjalë i është ofruar edhe ndihma e nevojshme mjekësore.

“Sipas ekipit mjekësor ajo është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë ndaj personit të dyshuar do të ndërmerren veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim me prokurorin e shtetit”, është thënë tutje nga Policia e Kosovës.