"Ky përparim diplomatik në marrëdhënie është rezultat i politikës përgjegjëse të presidentit Vuçiq"

“Ky përparim diplomatik në marrëdhënie është rezultat i politikës përgjegjëse të presidentit Vuçiq”

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq u shpreh qëndrimi i sekretarit të Shtetit amerikan Mike Pompeo, se për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë duhet të hiqet taksa, është në përputhje me atë të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Serbisë.

Ai në këtë mënyrë komentoi takimin e sotëm në New York të presidentit Vuçiq dhe sekretarit të Shtetit amerikan, Mike Pompeo, ku është biseduar për Kosovën.

“Dita e sotme është unike në historinë e fundit politike të marrëdhënieve SHBA-Serbi, ku takimi përfundon me një qëndrim të përbashkët për situatën në Kosovë. Ky përparim diplomatik në marrëdhënie është rezultat i politikës përgjegjëse të presidentit Vuçiq, e cila bën që edhe ithtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës ta pranojnë se çështja e Kosovës nuk përfundon me njohje të njëanshme të Kosovës, dhe se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi që respekton interesat e Serbisë dhe popullit serb”, u shpreh Simiq.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kishte deklaruar se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik. Pompeo këto komente i kishte bëri pas një takimi në Nju Jork me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.