Gjoba për një spot zgjedhor të kësaj partie

Gjoba për një spot zgjedhor të kësaj partie

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka pranuar ankesën e BIRN, Internews Kosova dhe Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), duke dënuar me 30 mijë euro gjobë Listën Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Gjoba ka të bëjë me një spot zgjedhor të kësaj partie, që PZAP e ka vlerësuar se bën cenimin e rendit kushtetues dhe thërret në juridiksionin e një shteti tjetër, përkatësisht atë të Serbisë dhe si i tillë bën nxitje të urrejtjes për komunitetin shumicë në Kosovë.

Në spotin e publikuar nga Lista Serbe thuhet ‘Kur është vështirë, vetëm së bashku fitojmë, në mbrojtje të asaj që është e jona, kur thërret Serbia unë jap votën time’.

Ndërsa në përgjigjen e Listës Serbe për ankesën thuhet se spoti është i përgatitur me qëllim që një numër sa më të madh të qytetarëve të nacionalitetit serb që kanë të drejtë vote në Kosovë të dalin dhe të votojnë dhe në atë spot nuk ka asnjë provokim apo thirrje në akte të dhunës.

Ankesat e pranuara më 26 shtator nga organizatat BIRN, Internews Kosova dhe KDI, PZAP-ja i ka trajtuar si një ankesë, për shkak të natyrës së njëjtë, ndërsa Lista Serbe ka afat prej 15 ditëve që ta paguaj gjobën. Edhe në zgjedhjet e vitit 2017 Lista Serbe ishte dënuar me 22 mijë euro, për një spot të ngjashëm./kallxo