Lista Serbe porosit Thaçin: Serbët s’do të lejojnë bashkimin e Mitrovicës

Lista Serbe kundërshton deklaratën e Thaçit

Kryetarit i Listës Serbe, Goran Rakiq ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili është shprehur se bashkimi i qytetit të Mitrovicës është proces i pandalshëm.

Rakiq, përmes një deklarate është shprehur se në emër të popullit serb e porositë Thaçin se serbët kurrë nuk do të lejojnë bashkimin e jugut dhe veriut të Mitrovicës, pasi siç ka thënë, kjo do të ishte një “parakusht për pastrim etnik nga qyteti i vetëm në të cilin serbët i shpëtuan pastrimit etnik në vitin 1999”, shkruan Rel.

Sipas Rakiqit, serbët janë gjithnjë e më të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës me të gjithë dhe se këtë e kanë dëshmuar, duke ruajtur karakterin shumë etnik të qytetit në të cilin bashkë me serbët jetojnë boshnjakët, shqiptarët, romët, goranët, turqit dhe egjiptianët.

“Me punë dhe jo me fjalë kemi treguar se si duhet të respektohet diversiteti, por deklaratat që bëhen nga Thaçi, po përpiqen ta trembin popullin serb në këtë rajon dhe të njëjtat i kundërshtojmë me neveri”, ka theksuar kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje, pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, përmes një shkrimi në facebook është shprehur se Bashkimi i qytetit të Mitrovicës është proces i pandalshëm.

“Në takim me kryetarin Bahtiri konstatuam se qytetarët e Mitrovicës e kanë thënë fjalën e tyre. Tani e kanë radhën të veprojnë institucionet: Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Ndërkohë, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit peticionet për bashkim të Mitrovicës më 16 janar të këtij viti.

Back to top button