Lladrovci paditi Drenorin për shpifje

Drenori ka thënë se Lladrovci ka qenë në dijeni për veprimet e paligjshme të policit

Ish-asamblisti i komunës së Drenasit, Xhavit Drenori ka akuzuar dje të parin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci duke thënë se ka dyshime që ky i fundit ka qenë i informuar për veprimet e paligjshme të policit të dyshuar për abuzim seksual me të miturën.

Përmes një postimi në Facebook, Drenori ka kërkuar që kryetari të flas.

“Ka dyshime qe kryetari Lladrovci ka qene i informuar me heret me veprime te paligjshme te policit V.V. te natyres se njejte me nje zyrtare komunale.

Nje pyetje: Ku mbeti rasti?  Kush e fshehi? Sikur t’i shkohej deri ne fund atij rasti, nuk do te ndodhte rasti i 16 vjeçares. Kryetari duhet te flas!”, ka shkruar Drenori në Facebook.

Ndërkaq sot, i pari i kësaj komune ka dorëzuar padinë për shpifje ndaj Drenorit. Këtë e ka bërë të ditur vetë Lladrovci përmes një postimi në Facebook dhe ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë të marrin vendim meritor.

Të martën në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Pas raportimit të ngjarjes ishte arrestuar zyrtari policior me inicialet V.V, ku dje i njëjti ka dalë para gjykatës. Bekim Kafegjolli, avokat i policit të dyshuar për dhunimin e të miturës dje është deklaruar para gazetarëve pas përfundimit të seancës dëgjimore. Kafegjolli ka thënë se nuk janë përmbushur kushtet ligjore lidhur me caktimin e paraburgimit. Ndërkohë dje, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për policin e dyshuar.

Gjithashtu dje janë arrestuar edhe mësimdhënësi dhe gjinekologu, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast./21Media

Back to top button