Aurora Berisha ka thënë se u shkarkua pa ndonjë vërejtje apo arsye

Aurora Berisha ka thënë se u shkarkua pa ndonjë vërejtje apo arsye

Drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Aurora Berisha ka bërë të ditur se është shkarkuar nga detyra më 31 tetor pa asnjë vërejtje nga ana e kryetarit Ramiz Lladrovci.

Berisha këtë detyrë e ka ushtruar që nga shkurti i vitit 2017.

Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kishte thënë se drejtoreshës së Inspekcionit, Aurora Berisha nuk i është vazhduar akt-emërimi pasi që nuk i ka përmbushur pritshmëritë e tij.

Pas shkarkimit të saj ajo ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e saj “Facebook”, duk thënë se ka e kryer detyrën me përgjegjësi dhe transparencë dhe se ka arritur suksese në detyrën e saj.

“Unë kam qenë në krye të detyrës me përgjegjësinë më të lartë duke punuar në përputhje me ligjin, për përmbushjen e planit vjetor dhe financiar duke përfshirë urdhrat dhe kërkesat e kryetarit të Komunës së Drenasit. Ku deri më tani kam marrë vetëm lëvdata dhe mirënjohje për punën time, të drejtorisë që kam udhëhequr nga qytetarët por edhe vet kryetari, çdo punë e drejtorisë që kam udhëhequr ka qenë transparente e raportuar drejtpërdrejtë kryetarit të komunës dhe e publikuar në ueb-faqen zyrtare të komunës”, ka shkruar ajo.

Berisha tutje ka treguar edhe arsyet e shkarkimit të saj nga kryetari i Komunës së Drenasit.

Duke qenë e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi se pozita e “Drejtorit Komunal” është pozitë politike dhe bëhet me emërimin e kryetarit dhe mandati i saj zgjatë njëjtë me mandatin e kryetarit, pa ndonjë datë të përcaktuar. Gjithashtu është e përcaktuar që kryetari siç ka të drejtë të emëroj një drejtor, ka të drejtë edhe të shkarkojë atë, sikurse në rastin tim pa ndonjë vërejtje apo arsye. Në rregull. Unë pranova këtë vendim të kryetarit të Komunës së Drenasit. Por tani në prononcim të mediave për cilat pritshmëri e ka fjalën kryetari i Komunës së Drenasit?!”, ka thënë Berisha.

Ish-drejtoresha duke përmendur punët në Komunë dhe angazhimet e saj ka thënë se duket ka qenë e kundërta e asaj, pasi që ka munguar përkrahja e kryetarit të Komunës së Drenasit. “Së fundi erdhi presioni dhe kërkesa e tij për dorëheqjen time nga pozita e Drejtorit të Inspeksionit. Unë nuk u pajtova me këtë kërkesë të pa arsyeshme, prandaj pritshmëria e tij për dorëheqjen time nuk u përmbush dhe më 31 tetor 2019 pa asnjë vërejtje më shkarkoi nga pozita”, ka shkruar Berisha./21Media