Lluka dhe Kosnett diskutuan për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Kosnett ofroi përkrahje në përpjekjet e Kosovës dhe ministrisë për zgjerimin dhe stabilizimin e furnizimit të Kosovës me energji elektrike

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili ishte i shoqëruar nga Lori Michaelson dhe Ëilliam Trigg, me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve në sektorët të cilat i mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Siç njofton MZHE, ministri Lluka e ka falënderuar ambasadorin Kosnett për vizitën dhe e informoi rreth zhvillimeve në sektorin energjetik, me theks të veçantë në termocentralin “Kosova e Re”, si dhe në sektorët e minierave dhe të teknologjisë informative.

“Prioritet i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është që deri në vitin 2023 të mbyllet Termocentrali “Kosova A”, të rehabilitohet Termocentrali “Kosova B” si dhe të fillohet me prodhimin e energjisë nga Termocentrali “Kosova e Re”, ka thënë ministri Lluka. Sipas tij kjo, do të përmirësojë ambientin në Kosovë, duke zvogëluar dukshëm emitimet e ndotëseve si dhe do të krijojë stabilitet në prodhim të energjisë, duke përmirësuar furnizimin edhe për bizneset vendore.

Si pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe sektori minerar, ku kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e njoftoi ambasadorin amerikan rreth rëndësisë së këtij sektori në zhvillimin ekonomik të vendit. Fokusi i kësaj teme padyshim që ishte Trepça dhe zhvillimi i Trepçës si dhe 11 zonat me interes të veçantë, që kanë potencial për të tërhequr investime amerikane në Kosovë.

Gjithashtu u diskutua edhe rreth dikastereve tjera, të cilat i mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si ndërmarrjet publike, përformanca e tyre dhe sfidat në të cilat po kalojnë ato.

Ambassadori Kosnett ofroi përkrahje në përpjekjet e Kosovës dhe ministrisë për zgjerimin dhe stabilizimin e furnizimit të Kosovës me energji elektrike, si dhe riafirmoi përkushtimin e ambasadës amerikane për projektin e termocentralit Kosova e Re.

Back to top button