Lluka: Komuna e Deçanit me ndriçim më të mirë publik

Do të testohet pilot projekti i zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Komunën së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për implementimin e pilot projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë në nivel lokal përmes zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë”.

Me këtë memorandum bashkëpunimi do të testohet pilot projekti i zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë, ku parashihet të përmirësohet ndriçimi publik i Komunës së Deçanit. Kjo marrëveshje arrin shumën totale prej 51 mijë euro, ku 46 mijë euro do të ndahen nga MZHE dhe 5 mijë euro nga Komuna e Deçanit.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Lluka tha se me këtë projekt do të përmirësohet ndriçimi publik dhe ky fond është në kuadër të fondit për efiçiencë të energjisë.

“Kjo është faza e parë e projektit për efiçiencë të energjisë, e cila parasheh ndërrimin e ndriçimit publik dhe në këtë mënyrë do të përmirësohet ndriçimi në këtë komunë, po ashtu përdorimi i energjisë do të jetë me efiçient”, u shpreh ministri Lluka.

Ndërsa, Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj falënderoi ministrin Lluka për këtë marrëveshje dhe për ndarjen e fondeve për këtë projekt.

“Ne e falënderojmë Ministrin Lluka për këtë marrëveshje bashkëpunimi dhe për ndarjen e fondeve për Komunën e Deçanit. Po ashtu, sot përpos nënshkrimit të memorandumit do t’i diskutojmë edhe disa projekte të tjera dhe t’i shohim mundësitë e bashkëpunimit me MZHE-n”, ka thënë ndër të tjera Ramosaj.

Ministri Lluka e falënderoi kryetarin Ramosaj për pritjen, duke thënë se në të ardhmen të zgjerohet bashkëpunimi në mes Komunës se Deçanit dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Back to top button