Ndeshja zhvillohet nesër

Ndeshja zhvillohet nesër

Kosova është duke marrë pjesë në rrethin e dytë të kualifikimeve të Botërorit 2020 për futsall, që po mbahet në Shkup të Maqedonisë.

Deri më tani Kosova ka zhvilluar dy ndeshje, ku numëron një humbje dhe një fitore.

Dardanët kanë pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj Ukrainës, ndërsa dje kanë arritur të marrin një rezultat pozitiv duke fituar ndaj Maqedonisë.

Lojtari, Oso Gjinovci për kp, u shpreh se deri më tani, Kosova ka arritur rezultatet e pritura duke parë që Ukraina është kundërshtar i një niveli të lartë.

“Ndeshjet kanë qenë shumë të mira për ne. Dihet në ndeshjen e parë kishim një kundërshtar shumë të fortë siç është Ukraina dhe pësuam humbje, por mblodhëm forcat dhe menjëherë në ndeshjen e dytë arritëm të këndellemi dhe arritëm një fitore shumë të rëndësishme. Sot kemi mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes së tretë, asaj ndaj Sllovenisë” tha fillimisht Gjinovci.

Ai tutje shtoi se tek kampi i Kosovës optimizmi është në nivel të lartë dhe se besojnë në kualifikim.

“Dihet që edhe Sllovenia është një skuadër e nivelit të lartë botëror. Jemi përgatitur maksimalit për atë ndeshje dhe jemi të fokusuar që të arrijmë fitore edhe aty. Jemi shumë optimist dhe besojmë në kualifikim tutje”, përfundoi Gjinovci.

Ndeshja mes Sllovenisë dhe Kosovës zhvillohet nesër nga ora 20:00 dhe një fitore e mundshme e Kosovës do të siguronte kualifikimin tutje, që do të ishte një sukses tejet i madh për kombëtaren e futsallit.