Banorët e Novobërdës janë në hall me hajnat

Banorët e Novobërdës janë në hall me hajnat

Cak i vjedhjeve në Komunën e Novobërdës janë bërë bagëtitë e që për banorët është mjaft shqetësuese sepse përveç dëmit ata po ndihen edhe të rrezikuar për jetë.

Rasti i fundit i vjedhjes së bagëtive ndodhur dy javë më parë në lagjen “Koloni e Vjetër”, në familjen e Fatmir Llapashticës, shtëpia e të cilit gjendet krejt afër stacionit të Policisë.

E hajnat kanë kryer vjedhje edhe në fqinjësi të kryetarit të komunës, por edhe në shtëpinë e kryetarit.

Novica Ivanoviq tregon se ka shumë vjedhje në këto anë dhe kjo dukuri e ka shtyrë që të gjitha lopët që i kanë mbetur t’i shesë.

“Po, ka pasur vjedhje të bagëtive, vjedhësit ende nuk i kanë zënë dhe nuk ka asnjë informacion… Kam pasur dëshirë me blerë lopë, por është dashur me i shitë edhe ato që i kam pasur për arsye se munden me mi vjedh sërish. Unë blej, ata vjedhë, nuk shkon”, tha Ivanoviq.

Ivanoviq që është kushëri i kryetarit të komunës tregon se edhe atij më herët i janë vjedhur dy lopë.

Ndërsa, Fatmir Llapashtica të cilit ia kanë vjedhur tri lopë duke mos dashur të japë deklaratë para kamerës ka thënë për kp se kjo vjedhje ka qenë mjaft e frikshme .

Ai tha se vjedhja ka ndodhur vonë natën dhe familja e tij është frikësuar shumë.

Llapashtica thotë se vlera e lopëve që tash s’i ka është 2500 euro dhe me to i ka mbajtur fëmijët.

“Ka ndodhur një vjedhje para dy javësh, mi kanë vjedhur tri bagëti. Vjedhjet shkaktojnë edhe rreziqe familjare, edhe deri te vrasjet. Gjatë vjedhjes, atë natë, në familjen tonë është thyer edhe një veturë, ku me këtë rast vjedhësit kanë prerë shiritat e sigurisë së veturës për t’i lidhur kafshët. Fatkeqësisht vjedhja ka ndodhur edhe në orët e vona. Këto vjedhje më të vërteta janë të habitshme dhe çuditërisht stalla nga janë nxjerrë kafshët është afër Stacionit të Policisë, me një distancë ajrore rreth 50 metra”, ka rrëfyer LLapashtica.

Ai është i zhgënjyer edhe me organet e rendit. Meqë sipas tij, për këtë vjedhje i ka parë edhe incizimet e kamerave që janë të vendosura në disa vende përgjatë rrugës së Artanës.

Siç i kanë deklaruar dëshmitarët, Llapashtica thotë se hajnat kanë qenë me një veturë “Toyota” në kohën kur ia kanë vjedhur lopët e tij.

Llapashtica tash e ka edhe një hall tjetër. Ai po ka frikë se mos hajnat po ia vjedhin edhe mjetet motorike pasi që para tre muajsh i është thyer garazha.

“Është për çudi të madhe, se si asnjë vjedhje ende nuk është zbardhur. Sepse ka materiale të incizuara dhe dëshmi se kush përafërsisht mundet me qenë në vepër”, ka thënë Llapashtica.

Frikë nga hajnat po kanë edhe ata që deri më tani nuk është vjedhur asgjë por që dyshojnë se një gjë e tillë mund t’u ndodhë edhe atyre.

Edhe Policia e pranon se situata është serioze kur bëhet fjalë për vjedhjet në komunë.

Policia jep shifra të rasteve që kanë ndodhur, por jo edhe për të arrestuar, pasi që deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur.

Komandanti i stacionit të Policisë në Novobërdë Shukri Aliu tha se Policia ka ndërmarrë disa plane operative për të parandaluar këto raste por që askush nuk është kapur si i dyshuar për vjedhje.

“Në tre mujorin e fundit i kemi katër raste të evidentuara për vjedhje të bagëtive, po flas vetëm për zonë tonë të përgjegjësisë, në komunën Novobërdës… Në një lokacion herën e fundit janë vjedhur tri(bagëti), herën e parafundit dy, do të thotë pesë,(në rastin e tretë, dy) shtatë edhe tri gjithsej dhjetë krerë bagëti. Në katër raste, dhjetë krerë bagëti. Fatkeqësisht (kryesit e veprës) ende nuk janë kapur… Edhe në vitin e kaluar kemi pasur një numër të rasteve të vjedhjeve, nuk ka qenë ndonjë numër i madh, me arsyetimin se kemi marrë disa hapa konkret dhe prap janë duke u ndërmarrë me disa plane operative me punë kryesisht natën për mbulimin sa më të madh të terrenit. Kështu që në një mënyrë e kemi parandaluar, por mjerisht ende me i kapur dhe me i paraqitë para drejtësisë nuk kemi mundur, mirëpo në të shumtën e rasteve kemi arritë me parandaluar këtë dukuri”, ka thënë Aliu.

Kp ka tentuar ta marr edhe një deklaratë nga kryetari i komunës Svetisllav Ivanoviq pasi që edhe ai ishte cak i hajnave.

Ivanoviq nuk ka dashur të flas as në telefon, e as gjatë takimit në lagjen e tij.

Në komunë të premten nuk ishte askush, për të dhënë ndonjë deklaratë përveç drejtoreshës së Shërbimeve Publike, Shefkije Mehmeti, e cila nuk deshi të flas për këtë temë.