Lordët: BE dështoi bindshëm

Sipas lordëve britanikë, trafiku i njerëzve nuk mund të ndalet në det

Misioni detar i Bashkimit Evropian dështoi në arritjen e objektivit të tij kryesor, pikërisht ndalimin e trafikut të njerëzve. Kështu shkruhet në një raport të Dhomës së Lordëve, sipas të cilit, operacioni “Sofia”, që mbështetet edhe nga Britania, bëri shumë pak për të frenuar migrimin, prandaj mandati i tij nuk duhet rinovuar.

Pavarësisht dështimit në objektivin kryesor, raporti thekson se misioni ka shpëtuar shumë jetë njerëzish në Mesdhe dhe ky aspekt i punës duhet të vazhdojë.

Operacioni “Sofia” u hartua nga 25 vende evropiane dhe nisi në vitin 2015, pas disa tragjedish në Mesdhe, ku qindra emigrantë u mbytën në përpjekje për të mbërritur në Evropë. Një vit më pas, numri i emigrantëve u rritë 20%.  Qëllimi i misionit ishte ndalimi dhe pengimi i kriminelëve të organizuar që trafikonin njerëz nga veriu i Afrikës drejt Evropës.

Por, meqë Libia, vendi kryesor nga nisen emigrantët është plotësisht pa ligj, BE nuk mundi të bëjë asgjë. Madje, sipas Komitetit të Lordëve, shkatërrimi i anijeve të trafikantëve nga forcat evropiane sollën një pasojë të paparashikuar, trafiku i njerëzve vazhdoi me anije dhe varka të vjetra e të rrezikshme, duke shtuar numrin e viktimave në det.

Sipas lordëve britanikë, trafiku i njerëzve nuk mund të ndalet në det, pasi ai nis në tokë dhe në të ardhmen përpjekjet duhen përqendruar në vendet nga burojnë emigrantë dhe vendet tranzit, duke ofruar zhvillim ekonomik dhe qeverisje të mirë.

Back to top button