Kapiteni legjendar i kombëtares së Shqipërisë, është një nga futbollistët më të suksesshëm shqiptarë të të gjitha kohërave

Kapiteni legjendar i kombëtares së Shqipërisë, është një nga futbollistët më të suksesshëm shqiptarë të të gjitha kohërave

I lindur me 27 korrik të vitit 1983 në Prishtinë por me prejardhje nga Gjakova, Loriku është biri i futbollistit të njohur kosovar, Agim Canës. Qysh në moshën 5 vjeçare Loriku ishte një fans i madh i futbollit, duke shikuar çdo ndeshje të Prishtinës. Ai së bashku me tërë familjen e tij u zhvendosën në Zvicër në vitin 1992, për shkak të gjendjes së keqe që ishte në Kosovë.

Karriera ekipore

Në vitin 1997 Cana iu bashkua ekipit të tij lokal Dardania Lausanne, një klub futbolli i themeluar nga komuniteti shqiptar në Lausanne, me trajner babanë e tij. Ai luajti për Dardaninë deri në vitin 2000, kur ishte vërejtur dhe kishte nënshkruar kontratë me klubin e suksesshëm francez, Paris Saint Germain.

Cana në vitin 2000 si 16 vjeçar ishte ftuar nga Arsenal për një provë, mirëpo nuk kishte arritur të paraqitej pasi i ishte refuzuar viza. Paris Saint Germain përfituan nga situata duke e ftuar për një provë një javore, ku trajnerët ishin joshur nga talenti i Canës, duke i ofruar kontratë. Për tre vite Cana kishte ngjitur kategoritë në skuadrën e PSG-së, duke u thirrur në ekipin e parë në vitin 2003. Me 19 prill Cana pati debutimin e tij me ekipin e parë, duke luajtur 90 minuta dhe duke dhënë asistimin për golin e vetëm të ndeshjes nga PSG, duke fituar në fund edhe çmimin futbollisti i ndeshjes.

Gjatë sezonit 2003-2004 ai ishte startues nën trajnerin Vahid Halilhodzic, megjithëse kishte mungesë eksperience, Loriku doli të jetë një pjesë kyçe e klubit, duke luajtur në 32 ndeshje dhe duke shënuar një gol, teksa klubi i tij fitoi Kupën e Francës, dhe përfundoi i dyti në ligën franceze. Në sezonin e ardhshëm u përsërit një sezon i njëjtë për Canën, duke u paraqitur 32 herë dhe duke shënuar 1 herë, shkruan rtv21.tv.

Në fillim të sezonit 2005-2006 kishte një ndërrim trajneri, dhe Cana nuk ishte më i favorizuar. Kjo e shtyri atë që të bashkohej me skuadrën e Marseille, ku ishte pjesë e skuadrës kryesore, duke shënuar madje golin e fitores në ndeshjen kundër ish-klubit të tij. Vendin në 11shën e parë Cana e kishte të sigurt edhe në sezonin 2006-2007, ku Cana udhëheqi klubin si kapiten në Kupën e Francës, duke dërguar klubin deri në finale, ku humbën nga Sochaux pas gjuajtjes së penaltive, ku edhe Cana kishte shënuar.

Gjatë verës së vitit 2007 Cana u bë kapiten i ekipit, duke udhëhequr skuadrën në një sezon fantastik ku përfunduan në vendin e tretë dhe siguruan vend për Ligën e Kampionëve. Në pjesën e dytë të sezonit 2007-2008, Cana kishte ndërruar rolin e mesfushorit defenziv, duke u shndërruar në qendër mbrojtës.

Sezonin 2008-2009 Cana e kaloi duke u paraqitur në 48 ndeshje si kapiten i klubit, duke formuar një partneritet me Mathieu Valbuenan, Samir Nasrin e Benoit Cheyroun. Në verën e vitit 2009 Cana u largua nga klubi duke u nisur drejt Anglisë, më saktë drejt skuadrës Sunderland për 5 milionë funte. Gjatë 4 viteve në Marseille, Cana nuk fitoi asnjë trofe, dhe u përshkrua si një mbrojtës agresiv.

Në debutimin e tij në Premier Ligë, me një paraqitje fantastike, Cana u bë futbollisti i parë shqiptar që u paraqit në ligën angleze. Pak kohë më pas ai u shpall edhe kapiten i klubit anglez.

Një vit më pas Cana u largua nga Sunderland duke u transferuar tek Galatasaray për 4.5 milionë euro, me një kontratë 4 vjeçare duke fituar 2 milionë euro në sezon. Sezoni i tij u dëmtua nga një lëndim, dhe megjithëse nuk kishte shumë impakt, ishte futbollist shumë i dashur për fansat.

Në vitin 2011 Cana u transferua tek klubi italian Lazio, si pjesë e transferimit të Fernando Musleras tek Galatasaray. Edhe në Itali Canën e munduan lëndimet, mirëpo pas rikthimit fitoi vendin në formacionin startues, duke ndihmuar skuadrën nga Roma që të përfundojë në vendin e katërt në ligë.

Gjatë sezonit 2012-2013 Cana u paraqit 38 herë për klubin e tij, përfshirë këtu 5 herë në kupë, duke arritur që të triumfojnë kundër Romës për të fituar trofeun e tij të parë me Lazion.

Edhe gjatë vitit 2013-2014 Cana ishte startues, por kjo ndryshoi pas pjesës së parë të sezonit pas ndërrimit të trajnerit. Megjithatë në fund të sezonit Cana arriti të paraqitej 32 herë për klubin, duke fituar 344 topa në 16 ndeshje, ai u shpall mbrojtësi i katërt më i mirë në Serie A.

Sezonin 2014-2015 Cana e kaloi shumicën në stol, duke arritur të paraqitej vetëm 20 herë në të gjitha garat, gjë që e shtyri të largohej në fund të sezonit.

Pas 4 viteve në Itali me Lazion, në gusht të 2015ës Cana u rikthye në ligën franceze, duke nënshkruar kontratë 2 vjeçare me klubin Nantes. Në verë të vitit 2016 ai u largua nga klubi.

Karriera me kombëtare

Lorik Cana kishte mundësinë të paraqitej për Shqipërinë, Zvicrën apo Francën, pasi kishte të tre pasaportat. Zgjidhja e tij ishte Shqipëria, të cilës iu bashkua në vitin 2003, duke debutuar në moshën 19 vjeçare.

Në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës në vitin 2006 Cana ishte zhvendosur në qendër mbrojtës, duke shënuar golin e tij të parë kundër Azerbajxhanit. Pas ardhjes së trajnerit Otto Baric Cana u zhvendos përsëri në mesfushë së bashku me Altin Lalën.

Në kualifikimet për Kupën e Botës 2010, Cana hyri si startues i kombëtares. Ai filloi kampanjën në mesfushë, por u zhvendos edhe në mbrojtje duke luajtur përkrah Debatik Currit. Në vitin 2010, në ndeshjen kundër Malit të Zi, Cana për herë të parë u bë kapiten i Shqipërisë. Në tetor të vitit 2011 Altin Lala dhe Ervin Skela u pensionuan nga kombëtarja, duke bërë Canën kapitenin e rregullt të Shqipërisë.

Gjatë kualifikimeve për botërorin 2014, Shqipëria u bë një kundërshtar më i rrezikshëm nën urdhrat e italianit Gianni De Biasi. Me Canën si kapiten, Shqipëria mundi Slloveninë për herë të parë, si dhe arriti një fitore historike ndaj Norvegjisë. Cana u përfshi në 11 futbollistët më të mirë që nuk arritën të paraqiten në Kupën e Botës në vitin 2014.

Cana filloi kampanjën e kualifikimeve për Euro 2016 si startues. Gjatë një ndeshje delikate kundër Serbisë Cana e rrëzoi në tokë një fans serb. Fansi kishte goditur Bekim Balajn me një stol, kishte kafshuar gishtin e Canës dhe kishte tentuar ta këpuste me dhëmbë. Pas ndeshjes, Cana së bashku me Taulant Xhakën u shpallën qytetarë nderi nga kryetari i Mitrovicës, për trimërinë e shfaqur në mbrojtjen e simboleve kombëtare. Cana pranoi një çmim të tillë edhe nga qytetit i Bajram Currit, shkruan rtv21.tv.

Cana u tërhoq nga kombëtarja me 23 qershor të vitit 2016. Ai është futbollisti që ka më së shumti paraqitje për kombëtaren, me 93 të tilla, me 41 nga to si kapiten. Pos kësaj ai gjithashtu ka edhe rekordin më të keq disiplinor për Shqipërinë, duke pranuar 26 kartonë të verdhë si dhe 2 të kuq.

Në tetor të vitit 2017 Cana u emërua si ambasador i fëmijëve për futbollin në Shqipëri.

Cana gjithashtu është ambasador i UNO-s kundër varfërisë. Cana gjithashtu ka deklaruar se i pëlqen shumë arkeologjia, duke planifikuar të bëhet albanolog pasi të përfundojë fakultetin e historisë.

Ai është i martuar me italianen Monica Ercoli qysh nga qershori i vitit 2014, dhe së bashku kanë një djalë të quajtur Boiken. Cana me familjen momentalisht jetojnë në Tiranë. Qysh nga viti 2015 Cana është emëruar si Ambasador Nderi i Kosovës.

Loriku ka fituar 3 çmime si futbollisti më i mirë shqiptar në vitet 2004, 2005 dhe 2006, si dhe është shpallur si futbollisti më i mirë shqiptar nga fansat në vitin 2009.

Vërtet një karrierë prej legjende, ‘Luani’ shqiptar Lorik Cana./21Media